Ambasada e Ukrainës në Beograd pa njohuri për vdekjen e vullnetarit serb
Ambasada e Ukrainës në Beograd nuk ka informacione të verifikuara për vdekjen e shtetasit serb Urosh Përvulloviq, thuhet në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë (REL).
Autoritetet shtetërore të Serbisë ende nuk i kanë konfirmuar apo mohuar spekulimet për vdekjen e vullnetarit serb Urosh Përvulloviq, i dyshuar si anëtar i organizatës paraushtarake Wagner, në luftimet pranë Bahmutit, në lindje të Ukrainës.
Ambasada thekson se informacionet për aktivitetet e Urosh Përvulloviqit, para së gjithash, duhet të shqetësojnë strukturat e sigurisë së Serbisë.
“Kontakte të tilla të Urosh Përvulloviqit (nëse kanë ndodhur) duhet të shqetësojnë para së gjithash strukturat e sigurisë së Serbisë, legjislacioni i së cilës e ndalon jo vetëm terrorizmin, por edhe mercenarizmin”, thuhet në letrën e Ambasadës drejtuar REL-it.
Sipas informacioneve, të cilat po shpërndahen në disa grupe në rrjetet sociale, Urosh Përvulloviq është vrarë më 28 prill, ndërsa informacionet për varrimin janë transmetuar të mërkurën, më 5 korrik.
Siç është raportuar në kanalin në platformën Telegram, RatUzivo (Lufta drejtpërdrejtë), Urosh Përvulloviq u varros në varrezat në Donjeck, me flamurin serb dhe këngën “Atje larg”.
Sipas dëshmive të ish-luftëtarëve të këtyre grupeve paraushtarake, si dhe fotografive nga rrjetet sociale, besueshmërinë e të cilave REL-i nuk mund ta konfirmojë, Përvulloviq ka qenë në fushëbetejë në Ukrainë që nga viti 2015, kur mori pjesë në betejat afër Donbasit.
Ai ishte anëtar i të vetëquajturës milici popullore e Republikës Popullore të Donjeckut. Në mesin e vitit të kaluar, ai u bë anëtar i Wagner-it, thuhet në një përkujtim të publikuar në kanale të shumta të Telegram-it.