Krasniqi: Fakultetin e Filologjisë e kanë sjellë para mbylljes

Ai tha se kjo vije pasi që kanë instaluar menaxherë pa kredenciale intelektuale

Temperaturat e larta ‘afrikane’ në këto ditë për shumë kë janë bërë të padurueshme. E sidomos për ata të cilët punojnë gjatë ditës në ambiente të mbyllura e pa kushte elementare.

E ankesë të tillë gjatë ditës së sotme ka pasur edhe profesori i Universitetit të Prishtinës, Milazim Krasniqi. “Në Fakultetin e Filologjisë të UP, dimrit nuk ka nxemje, verës nuk ka fresk, sallat nuk kanë zërim, dyert e dritaret nuk mbyllen, bërllogu hiqet nga sallat një herë në javë. Puna e mësimdhënësve dhe e studentëve në këso kushtesh është shumë e rëndë”, ka thënë ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar “Facebook”.

Ai thotë se ata që e kanë degraduar Universitetin e Prishtinës, e kanë arritur një sukses të madh. “E kanë eliminuar ndikimin e tij nga jeta politike ekonomike e shoqërore. Duke instaluar edhe menaxherë pa kredenciale intelektuale e pa dinjitet, gjendjen e kanë bërë të pashpresë. Duke ia lëshuar në qafë edhe mediet dhe paramilitarët e shoqërisë civile, UP-në e kanë bërë leckë”, është shpreur ai.

Krasniqi ndër të tjera tha se këtë fakultet po e sjellin para mbylljes.
“Fakultetin e Filologjisë, që është AND-ja e UP-së, thjesht e kanë sjellë para mbylljes. Tamam ashtu si kanë qejf armiqtë tanë!”, ka shkruar profesori universitar Krasniqi.

Gjithashtu, Milazim Krasniqi ka publikuar një fotografi ku shihet se temperatura brenda zyrës së tij është 30 gradë Celsius, duke iu drejtuar me një pyetje rektorit të UP-së Marjan Dema./21Media

Back to top button