Krasniqi: I shpëtuam rreth 450 mijë familje nga shtrenjtimi i rrymës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Mmemli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e pezullon vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës.
Krasniqi përmes një postimi në “Facebook” u shpreh i lumtur duke thënë se i shpëtuan 450 mijë familje kosovare nga shtrenjtimi i rrymes elektrike.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike për familjet kosovare nga ana e Qeverisë dhe ZRRE-së, ka qenë vendim i padrejtë dhe i paarsyeshëm. Sot, kemi mirëpritur vendimin e Gjykatës së Apelit, përmes së cilit është ri konfirmuar se ai vendim ka qenë edhe i kundërligjshëm. Jam shumë i lumtur që qëndrimi ynë parimor për ligjshmëri e në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve si konsumatorë, sot i ka lehtësuar nga barra e atij vendimi rreth 450 mijë familje kosovare”, ka shkruar Krasniqi.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses/propozueses Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRrE-së për tarifat e reja për energji elektrike.
Paraprakisht, ZRrE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.
Pavarësisht se Themelorja pati vendosur ta pezullojë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, faturat qytetarëve u kanë shkuar me tarifat e reja./21Media