Krasniqi: Këtë vit 100 milionë euro më pak të hyra buxhetore

Krasniqi tha se mos funksionimi i Qeverisë, mbetet problematike edhe për realizimin e fondit të IPA 2

Mos konstituimi i institucioneve të vendit tash e tre muaj paraqet implikime të shumëfishta negative në ekonominë e Kosovës. Mos rishikim i buxhetit, ndikon në realizimin e mbi 100 milionë eurove të paraparë si të hyra që vijnë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Ministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë se mos funksionimi i Qeverisë, mbetet problematike edhe për realizimin e fondit të IPA 2.

Ndryshe nga IPA 2, Kosova do të përfitonte ndihma financiare nga Bashkimi Evropian në shumë totale prej 2.9 miliardë euro për periudhën 2014-2020.

“Në mungesa të rishikimit të buxhetit, çështja e parë që e kemi ditë menjëherë që ka me qenë është pjesa e të hyrave të menjëhershme. Ne i kemi planifikuar në buxhet të vitit 2017-të, rreth 87 milionë euro që duhet të vinin prej mjeteve të AKP-së. Në mungesë të plotësim ndryshimit të ligjit për APK-në këto mjetet nuk kanë ardhur dhe nuk e di a do të vijnë këtë vit . …. Normal edhe të hyra prej dividentës, edhe në këtë vit prej Telekomit nuk është realizuar. Pjesa që ka qenë për mbledhje të borxheve që është planifikuar nuk është realizuar në dinamikën që ne e kemi paraparë. Pra mund të kemi diku ndoshta rreth 100 milionë euro të hyra më pak në buxhetin e rregullt po flas. Pjesa kryesore e të hyrave të njëhershme ka qenë e lidhur me projektin e autostradës Prishtinë Hani i Elezit, diku rreth 67 milionë euro që në rast se ato mjete nuk realizohen ne duhet të bëjmë përpjekje me i gjet fondet për arsye që kontrata me Bechtelin nuk ka ndryshuar. Ne duhet financiarisht ta përmbyllim kontratën vitin e ardhshëm“, tha Krasniqi.

Ai po ashtu ka thënë se ka edhe projekte të tjera nëpër ministri të caktuara që nuk do të mund të realizohen sivjet. Ndërsa sa i përket humbjes së mjeteve nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ai tha se Kosova ka humbur 16 milionë euro kredi jo donacione.

“Portofoli e Bankës Botërore është duke ecë mirë. Ne është dashur të marrim prej FMN-së po të ishte përmbyll programi, por në mungesë po e them të institucioneve edhe për shkak të procesit zgjedhor nuk është përmbyll programi komplet në kuptimin e rishikimit të katërt që ka qenë ne i kemi humb 15-16 milionë euro po duhet me sqarua qartë këto kanë qenë kredi. Nuk është para e falur nuk është donacion….Keni dëgjuar edhe ministren për Integrime, janë problematike realizimi i fondit të IPA 2, për shkak të mosfunksionimit të Qeverisë. Një çështje tjetër që ka mbet prapa janë realizimi i projekteve me klauzolë të investimeve që janë paraparë me buxhet edhe ajo është problematike. Kurse pjesa tjetër e rregullt e buxhetit është duke shkuar mirë edhe unë besoj që vitin kemi me e mbyll pa asnjë problem”, tha Krasniqi.

Kurse, sa i përket fondeve për sigurimet shëndetësore, Krasniqi tha se mjetet financiare janë në buxhet për 6 mujorin , ndërsa janë të parapara për krejt vitin.

“Sigurimet shëndetësore financiarisht janë gati në momentin kur Ministria e Shëndetësisë i kryen përgatitjet dhe nuk ka asnjë problem financiar për me filluar për pjesën se në buxhet planifikohet pjesa që ka të bëjë me sektorin publik nuk ka asnjë problem me filluar. Sivjet kanë qenë për 6 mujorin 17 milionë euro, vitin tjetër janë për krejt vitin nuk ka asnjë problem financiarisht kurdo që ministria është e gatshme financiarisht me filluar implementimin”, tha Krasniqi.

Ai ka thënë se nuk do të ketë asnjë problem financiar, sipas tij viti 2017-të do të përmbyllet me bilanc pozitiv. Ai po ashtu tha se janë në përgatitje të buxhetit për vitin 2018-të dhe se në vitin e ardhshëm do të përfundojë gjitha projektet që janë nis.

“Pra jemi në rregull me mbyllje të viti, jemi duke punua në buxhetin e vitit 2018-të, dhe ajo që më bënë optimist është që edhe në vitin 2018-të, ne do të kemi mundësi të gjitha projektet kanë fillua me vazhdua pa asnjë problem “, tha Krasniqi.

Sipas tij, pozitive është se do të ruhet stabiliteti në kuptimin financiar dhe se janë të gatshëm edhe për tre vite të ardhmen të kenë bilancë pozitiv të buxhetit.

Back to top button