Krasniqi-Kurtit: Je larg çdo cilësie të një burrështetasi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për “dialog të mbrapshtë” me sindikatat duke mos arritur zgjedhje për kërkesat e tyre në kohën kur procesi mësimor, i paraparë të fillojë më 1 shtator, ende nuk ka nisur dhe nuk “ka një dritë” në tunel.
Krasniqi ka thënë se kryeministri Kurti duhet të lë anash inatet dhe të ulet së bashku me sindikatat për të arritur një zgjidhje përfundimtare, e cila do t’i jep fund grevës.
“Ti Kryeministër, dialogun me sindikatat e ke nisur mbrapshtë dhe je duke e ushqyer mbrapshtë, tamam si një pushtetar, larg çdo cilësie të një burrështetasi. Sot është dashur të ketë marrëveshje, sepse dëmin e mosmarrëveshjes e kemi parë tashmë e 13 ditë. Por, marrëveshje nuk ka as sot sepse nuk mund të ketë rezultat kur nuk ka konsideratë e as vullnet për të gjetur zgjidhje. Ndërsa familjeve, prindërve, e më së shumti fëmijëve, ju duhet zgjidhja e jo bllokada”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Tutje, Krasniqi ka thënë se kryeministri Kurti duhet të ofrojë kompromis ndaj kërkesave dhe të mos mbajë inate, pasi që janë fëmijët ata që po e pësojnë më së shumti nga mos fillimi i vitit të ri shkollor.
“Nuk ka nevojë të jesh vëlla me askënd, por duhet të jesh kryeministër i përgjegjshëm për të gjithë. Prandaj, gjej rrugë dhe zhblloko situatën. Fëmijët duhet të kthehen në shkollë me urgjencë! Nuk ka përgjegjësi më të madhe sot dhe as agjendë më të rëndësishme për ty si kryeministër i vendit, sesa ta rimendosh e të veprosh siç kërkon arsyeja e shëndoshë, që nesër nxënësit e mësimdhënësit të nisin rrugëtimin e vitit të ri shkollor. Fëmijët vijnë të parët, të tjerat pas tyre. Për të tjerat mund të të mirëkuptojmë. Për fëmijët s’mund të ta falim këtë arrogancë”, ka thënë ai.
Takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Këshillit Grevist të kryesuar nga kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj përfundoi sot pa ndonjë marrëveshje./21Media