Krasniqi: Misioni im, rikthimi i PDK-së në qeverisje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se misioni i tij si kryetar i PDK-së është rikthimi i PDK-së në qeverisje.

“Misioni im si Kryetar është ringritja, fuqizimi dhe rikthimi i PDK-së në qeverisje, si parti e fitoreve, për zhvillimin e vendit tonë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Pas një viti që kur është zgjedhur në krye të partisë, Krasniqi ka thënë se tenton ta ringrisë dhe fuqizojë PDK-në në mënyrë që të zhvillohet vendi.
“Gjatë këtij viti në krye të PDK-së, kemi punuar shumë bashkë me secilin anëtar e aktivist, përbrenda çdo niveli të organizimit, që gjithandej Kosovës ta shtrijmë përsëri vizionin tonë – për Kosovën e qytetarëve, të zhvilluar, të integruar e me perspektivë për të gjithë. E nisëm me fitoren në zgjedhjet lokale, duke fituar në 8 komuna e duke dalë partia e parë ne 10 komuna. Rikthyem besimin qytetar në Prizren, Mitrovicë, Skenderaj, Vushtrri e Han të Elezit dhe e rinkonfirmuam atë në Ferizaj, Drenas e Kaçanik”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai më tej ka thënë se si parti lidere e opozitës, PDK-ja është angazhuar aktivisht në Parlament, duke ngritur e mbrojtur çështje e kauza konkrete “në dobi të qytetarëve dhe të kategorive shoqërore të injoruara nga pushteti aktual”./21Media

Back to top button