Krasniqi: Na paska lënë sot shqiptari, kosovari ynë, që këtë dhe, në të dy anët e kufirit, e kish Vatan e kish Atdhe

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar për vdekjen e aktorit , Mirush Kabashi. Krasniqi përmes një postimi në Facebook e ka vlerësuar lartë veprën e Kabashit.

“Na paska lënë sot shqiptari, kosovari ynë, që këtë dhe, në të dy anët e kufirit, e kish Vatan e kish Atdhe. Mirush Kabashi, shkodrani me prejardhje nga Gjakova, në 75 vitet e jetës së tij realizoi mbi 100 role në teatër dhe film. Pas çmimeve si “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i Madh i Punës”, Mirushit, me plotë meritë, iu nda edhe çmimi “Nderi i Kombit”. Përmes kontributit për artin shqiptar, e posaçërisht recitimeve të tij të papërsëritshme, Mirush Kabashi do të jetoj përjetësisht në zemrën e secilit shqiptar – gjersa mali të bahet hi, e hiri mal përsëri!
Lamtumirë, mjeshtër! ”, ka shkruar Krasniqi.

Aktori Mirush Kabashi u nda nga jeta në mesnatën e 5 dhjetorit./21Media

Back to top button