Krasniqi: Nuk kemi pranuar asnjë njoftim zyrtar të peticioneve për kryetarët e komunave në veri

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka thënë se nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për kërkesën që kanë paraqitur serbët në veri të Kosovës te kryesuesit e kuvendeve komunale të këtyre komunave, për inicimin e peticionit për shkarkim të kryetarëve.

Krasniqi në një postim në Facebook, ka deklaruar se deri tani nuk u është dorëzuar asnjë njoftim zyrtar.

“Secili qytetar apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse ka të drejtë të ndërmarrë iniciativën për largimin e kryetarit të komunës. Kërkesa për largim duhet të nënshkruhet nga të paktën 20% e votuesve me të drejtë vote dhe duhet t’i përmbajë të gjitha elementet dhe të dhënat sipas këtij Udhëzimi Administrativ. Qytetarët e interesuar për inicimin e kësaj procedure, themelojnë grupin nismëtar i cili para se të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve duhet të njoftojë Kryesuesin e Kuvendit Komunal i cili më pas njofton MAPL-në dhe KQZ-në. Jemi në dijeni rreth raportimeve në media se janë mbledhur nënshkrime nga ‘një grup nismëtar’. Megjithatë, ju njoftojmë se në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk kemi pranuar asnjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë nismë nga Kryesuesit e Kuvendeve Komunale të Komunave respektive apo anëtarët e grupit iniciues siç parashihet me këtë Udhëzim Administrativ”, ka shkruar Krasniqi në Facebook./21Media

Show More
Back to top button