Kurti për Masakrën e Studimes: Krimet e Serbisë nuk shlyhen kurrë

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pak para takimit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka përkujtuar Masakrën e Studimës së Vushtrrisë.

Kurti tha se Krimet e Serbisë nuk mund të shlyhen kurrë.

“E kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë”, tha Kurti.

Ai i bëri thirrje drejtësisë që ta ndriçojë të vërtetën.

“I bëj thirrje sistemit tonë të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës. Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë”, tha ai.

Krasniqi për Masakrën e Studimes: Nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi

Kreu i PDK-së Memli Krasniqi në 24-vjetorin e rënies, ka kujtuar martirët e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, duke thënë këto krime nuk do të vjetrohen asnjëherë dhe nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi!

Ai përmes një postimi në “Facebook” tha se përkundër gjithë këtyre masakrave asnjë nga kriminelët serbë, ekzekutor apo urdhërdhënës, nuk ka dalë para drejtësisë vendore apo ndërkombëtare për të dhënë përgjegjësi për krimet e kryera.

“Liria që gëzojmë sot ka në themele gjakun e mijëra martirëve të vendit tonë. Lavdi e përjetshme!”, ka thënë Krasniqi.

​Haradinaj kujton civilët e vrarë në Studime të Vushtrrisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në 24-vjetorin e rënies, ka kujtuar martirët e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, duke thënë që ranë për këtë tokë duke u shndërruar në gurë themeltar të lirisë së vendit tonë.

Haradinaj ka shkruar në “Facebook” se ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë dhe vetëm pse aspironin lirinë e vendit.

“Plagët e popullit tonë janë ende të freskëta dhe nuk mund të mbyllen pa u ndëshkuar të gjitha krimet. Në 24-vjetorin e rënies, kujtojmë dhe nderojmë me përulje martirët e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, që ranë për këtë tokë duke u shndërruar në gurë themeltar të lirisë së vendit tonë. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse aspironin lirinë e vendit. Nuk do të ndalemi deri sa të dalin para drejtësisë autorët e krimeve. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, ka thënë ai.

24 vjet nga masakra në Studime të Vushtrrisë, ku u vranë 116 shqiptarë

Janë bërë 24 vjet që nga koha kur në Studime të Vushtrrisë forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm.

Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri.

Nga dëshmitarët mësohet se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve.

Masakra në Studime të Vushtrrisë nga krerët e institucioneve të Kosovës është quajtur ndër masakrat më të tmerrshme ndaj shqiptare gjatë luftës së fundit.

Back to top button