Krasniqi për seancën konstituive: Mekanizmi i “shortit” nuk do të duhej të aktivizohet

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus duke komentuar seancën e sotme konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se ajo që ka ndodhur sot në praktikë është se kandidati për nënkryetar nuk është propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, siç parashihet, por nga deputetët e shumicës.
Krasniqi ka shkruar se kur përfundojnë tre raunde votimi për të gjithë kandidatët e propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, procedura rinis për ditët e mbetura brendha afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.
“Në këtë rast, shumica e deputetëve të komunitetit serb nuk e kanë refuzuar të drejtën për të propozuar kandidatin, prandaj mekanizmi i “shortit” nuk ka mundur të aktivizohet. Ajo që ka ndodhur sot në praktikë është se kandidati për nënkryetar nuk është propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb siç parashihet, por nga deputetët e shumicës”, ka shkruar ai.
Përndryshe, Nenad Rashiq në seancën e sotme mori votat e 71 vota për, nëntë vota kundër dhe 24 abstenime.
Për dallim nga seancat tjera, Rashiq kësaj radhe ka marrë edhe votat e deputetëve të LDK-së.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha tha se procedura e zgjedhjes së nënkryetarit, Nenad Rashiq ka qenë e rregullt. Ai shtoi se secilit nga nëntë deputetët e Listës Serbe i është dhënë mundësia që të votohet nga tri herë radhazi, dhe më pas është vijuar me votimin e deputetit tjetër nga komuniteti serb.
Pas konstituimit të kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se “shpresoj që s’do të ketë më lëndë në Kushtetuese e të ecim drejt zgjedhjeve të parakohshme”.