Krasniqi: Që 72 orë minatorët në grevë, asnjë vizitë nga Kurti

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se janë bërë 72 orë prej kur minatorët kanë hyrë në greve dhe nuk kanë pasur asnjë vizitë nga kryeministri Albin Kurti.

Në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi i ka bërë thirrje Kurtit që t’i përmbush kërkesat e minatorëve.

“Sot, minatorët e Trepçës kanë hyrë në ditën e katërt të grevës. Gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet shpejt dhe ndjeshëm. Kjo formë e protestës nuk ishte zgjedhje e tyre – por ishte zgjidhja e vetmja për shkak të injorimit të plotë që u ka bërë Qeveria kërkesave të tyre për më shumë se dy vjet. Kërkesat e tyre janë të drejta dhe të domosdoshme – andaj duhet të plotësohen urgjentisht. Fatkeqësisht, edhe pse kanë kaluar më shumë se 72 orë në grevë, këta qindra minatorë që po qëndrojnë qindra metra në thellësi të tokës, nuk kanë pasur asnjë vizitë nga Kryeministri, as nga Ministrja e as nga ndonjë tjetër pushtetar. Natyrisht që ikin – sepse premtimet e tyre të mëdha dje për Trepçën dhe minatorët, sot po vërtetohet të kenë qenë vetëm mashtrime”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Sipas Krasniqit, fshehja e kryeministrit Kurti nuk është zgjidhje.

“E ftoj Kryeministrin dhe Qeverinë që t’u dalin zot premtimeve të tyre ndaj minatorëve dhe të plotësojnë kërkesat që ata kanë. Nuk duhet ta rrezikojnë shëndetin e qindra minatorëve vetëm për ta mbajtur me zor në krye të Trepçës një militant partiak. Qysh sot duhet të ketë veprime që mundësojnë ndërprerjen e grevës. Ne nuk do të heshtim para padrejtësive dhe injorimit që po u bëhet kërkesave të minatorëve tanë – heronjve të nëntokës”, është shprehur në fund kryetari i PDK-së.

Back to top button