AGK: Shqetësues dhe dekurajues votimi i Luljeta Aliut për anëtare të KPM-së

(Lajm i përditësuar)

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka përcjellur me shqetësim votimin në Kuvend të Luljeta Aliu për anëtare të Komisionit të Pavarur të Medieve.

Votimi nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e një avokateje publike të politikave të saj në Qeveri, tregon hapur intencën e partisë në pushtet për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura mediale.

Komisioni i Pavarur i Medieve duhet të ruajë pavarësinë politike dhe partiake, për të kryer në mënyrë të pandikuar punën për monitorimin dhe rregullimin e skenës audio-vizuale në Kosovë.

Emërimi i zonjës Aliu shkon në kundërshtim me këtë përpjekje, dhe mund t’i kontribuojë klimës anti-medie që kjo qeveri ka krijuar, në shumë raste në dy vitet e fundit.

Krasniqi: Qeveria po dëshmon se e ka mision ta pengojë fjalën e lirë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar për emërimin e Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media.

Krasniqi tha se emërimi i Aliut dëshmon se qeveria e tanishme e ka mision të pengojë fjalën e lirë, duke synuar kapjen e medieve.

Sipas tij, mediat deri sot u kanë penguar vetëm qeverive autokratike dhe, natyrisht, qeverive të dështuara, të cilat, përveç aferave dhe degradimit nuk prodhojnë asgjë tjetër.

“Me emërimin e Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media, një militante e deklaruar politike e Vetëvendosjes, kjo Qeveri dëshmoi edhe një herë se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave. Media e lirë dhe e pavarur është një nga platformat e rëndësishme jopolitike, e cila, përveç që informon qytetarët, monitoron dhe mban përgjegjës pushtetin në raport me politikat dhe veprimet që bien ndesh me ligjin dhe qeverisjen e mirë”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Krasniqi tha se vetëm një pushtet i korruptuar dhe autokrat synon kontrollin politik të mediave dhe të institucioneve të pavarura e fatkeqësisht, kjo, sipas tij, po ndodh tash e dy vjet në vendin tonë.

“Larg duart nga mediat”, përfundoi ai.

Luljeta Aliu-Krasniqi zgjedhet anëtare e KPM-së

Luljeta Aliu-Krasniqi është zgjedhur anëtare e Komisionit të Pavarur të Mediave. Ndërkaq, për dy anëtarë të tjerë, për të cilët nuk u arritën votat e mjaftueshme, konkursi do të përsëritet. Në garë kanë qenë Granit Musliu, Xhevat Latifi, Veton Kasapolli dhe Jeta Abazi-Gashi.

Deputetët në seancën e sotme plenare kanë votuar në mënyrë të fshehtë për zgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

“Për anëtare të këtij Komisioni të Pavarur të Mediave, nga radhët e grave me 48 vota zgjidhet anëtare, Luljeta Aliu Krasniqi. Kurse, për kandidatët e propozuar për zgjedhjen e dy anëtarëve nga katër kandidatë sa i patëm në rubrikën e dytë, nuk ka arritur të zgjidhet asnjë anëtar. Meqë Granit Musliu i ka 24 vota, Xhevat Latifi 40, Veton Kasapolli 41, kurse Jeta Abazi Gashi 14 vota. Prandaj, nuk e ka arritur asnjëri numrin e 46 votave, sa ishin të nevojshme për tu zgjedhur anëtar i Komisionit të Pavarur të Mediave”, ka thënë kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Sa i përket mandatit të anëtares së zgjedhur të këtij komisioni, ai ka shtuar se Komisionit i Pavarur i Mediave pritet që ta përcaktojë me short.

Dy anëtarë do të kenë mandat dy-vjeçar dhe një anëtar tjetër do të ketë mandat për katër vjet.

Back to top button