Krasniqi takon kryetarët e degëve të PDK-së: Shqetësuese ikja e qytetarëve nga Kosova

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka takuar sot kryetarët e degëve të partisë së tij, siç bëhet e ditur kanë trajtuar një sërë çështjesh me rëndësi, që kanë të bëjnë me zhvillimet politike në nivelin qendror dhe lokal në vend.

“Duke u nisur nga vizitat që kryetari Krasniqi ka pasur gjithandej nëpër Kosovë, si dhe nga takimet e përditshme që kanë kryetarët e Degëve të PDK-së më bashkëqytetarët e tyre, në këtë takim, ata ndanë shqetësimin e përbashkët për rritjen enorme të numrit të qytetarëve që po largohen nga Kosova për shkak të qeverisjes së paaftë të nivelit qendror e cila nuk po mbështetë projektet e komunave si dhe nuk po realizon asnjë nga premtimet e shumta që kishte dhënë para qytetarëve”, thuhet në komunikatën e PDK.

Nga kjo parti thonë se shifrat tregojnë që janë të rinjtë ata të cilët në masë të madhe e kanë humbur shpresën se mund ta zhvillojnë potencialin e tyre duke jetuar këtu.

“Kryetari Krasniqi theksoi se Kosova nuk do të mund të bëjë hapa përpara pa kapacitetet dhe energjinë e rinisë, e cila është motori i zhvillimit dhe avancimit të shtetit tonë. Ai tha se është obligim i secilit prej nesh për t’u angazhuar në rikthimin e besimit dhe shpresës te qytetarët në mundësitë që ofron vendi ynë”, vijoi komunikata.

Krasniqi dhe kryetarët e degëve të PDK-së u tha së janë dakorduar për nevojën e zgjerimit të komunikimit me të gjithë qytetarët, pa dallim, kudo nëpër Kosovë, për të parë nga afër nevojat dhe kërkesat që ata kanë, si dhe për të definuar mënyrat e adresimit sa më të mirë e më serioz të tyre.

Back to top button