Krasniqi takon shefen e zyrës së KiE-së për Kosovë: I kemi plotësuar kushtet për anëtarësim

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE) duhet të përballen me një përgjigje pozitive.

Sipas tij raporti i juristëve eminent dhe raportet të tjera relevante dëshmojnë se Kosova i ka plotësuar gjitha kushtet dhe kriteret për anëtarësim formal.

Këto komente ai i ka bërë në një postim në “Facebook” ku ka shkruar për takimin që ka zhvilluar me shefen e zyrës së Këshillit të Evropës për Kosovë, Mary Ann Hennessey.

“Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, duke pas për qëllim mbështetjen e nivelit lokal dhe rritjen e demokracisë lokale, përfaqësimin dhe përfshirjen e shoqërisë civile si dhe qytetarëve në vendimmarrje si dhe përkrahjen e komunave për arritjen e 12 parimeve të përcaktuara nga Këshilli i Evropës për qeverisje të mirë”, ka shkruar Krasniqi.

Kosova e ka kaluar me sukses votimet në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, e cila përbëhet nga deputetë të partive të ndryshme evropiane. Me shumicë të votave, deputetët e Asamblesë e kanë miratuar raportin e Dora Bakoyannisit, i cili rekomandon që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtarja më e re e Këshillit të Evropës. Në raportin e Bakoyannisit vlerësohet arritje e madhe zbatimi i vendimit për pronat e Manastirit të Deçanit, ndërkaq themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosovës i përshkruhet si një “angazhim pas anëtarësimit”.

E në mes të majit pritet të mbahet mbledhja e Komitetit të Ministrave, si organ final që vendos për anëtarësime.

Por, Kosova nuk përmendet në një agjendë të diskutimeve që e ka paralajmëruar Këshilli i Evropës.

Këshilli ka publikuar të enjten një agjendë preliminare të takimit të Komitetit të ministrave, i cili pritet që të mbahet më 16-17 maj dhe në të cilin anëtarësimi i Kosovës nuk figuron në rend dite. Situata mund të ndërrojë derisa agjenda ta marrë formën përfundimtare, porse dërgimi i draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për interpretim në Gjykatën Kushtetuese mbetet parakusht.

Komiteti i Ministrave është i përbërë nga ministrat e jashtëm të qeverive të shteteve anëtare. Nga 46 shtetet që e përbëjnë Këshillin e Evropës, Kosovës për anëtarësimin do t’i duhet mbështetja prej dy të tretave të tyre.

Kosova e pati dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022.
Demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligji janë tri vlerat kryesore mbi të cilat qëndron Këshilli i Evropës. Shpresat e Kosovës për pranim u patën shtuar pas përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë.
Në kuadër të Këshillit vepron Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, së cilës mund t’i drejtohen qytetarët pasi t’i kenë shteruar mjetet juridike në nivel kombëtar.

Back to top button