Krasniqi vizitoi Thaçin e Veselin në Hagë, për 15 vjetorin e Pavarësisë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Gjykatën Speciale.
Krasniqi ka thënë se përvjetori i 15 i Pavarësisë së Kosovës, s’do të ishte i plotë, pa i uruar ata që ngritën themelet e shtetit.
“Shënimi i 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nuk mund të ishte i plotë pa i uruar ata që tërë jetën punuan e sakrifikuan për lirinë që e gëzojmë sot dhe që ngritën themelet e shtetit tonë – Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Javën e Pavarësisë e përmbylla në Hagë, aty ku çlirimtarët e Kosovës po zhvillojnë betejën e tyre të fundit për të vërtetën e luftës së drejtë të popullit tonë për liri e pavarësi”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Krasniqi ka thënë se duke rikujtuar së bashku momentin dhe emocionet e 17 Shkurtit të vitit 2008, por edhe aspiratat që i kemi përmbushur në vijim, ka uruar që Hashim Thaçi e Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi dhe të gjithë çlirimtarët e tjerë t’i kemi në Kosovë në festat e ardhshme, si triumfues e fitimtarë.
“Përherë falënderues për kontributin e tyre të pashoq për Kosovën!”, ka shkruar Krasniqi./21Media

Back to top button