Krejt çka dihet për vdekjen e punëtorit 28-vjeçar në Prishtinë

Një punëtor 28-vjeçar ka humbur jetën sot në rrugën “Holger Pedersen” në Prishtinë.
“Sot në stacionin policor Jugu, në Prishtinë, është iniciuar një rast Hetim mbi vdekje. Rasti ka ndodhë në rrugën “Holger Pedersen” në Prishtinë, ku viktima mashkull, 28 vjeç, dyshohet se ka rënë nga një lartësi dhe ka pësuar lëndime”, ka thënë për rtv21.tv zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Viktima, nuk ka arritë të përballojë plagët. Drejtori i Klinikës Emergjente në Prishtinë, Naser Syla, për portalin rtv21.tv ka thënë se A.B ishte dërguar pa shenja jetën në QKUK rreth orës 08:30.
Ndërsa, Inspektorati i Punës në një përgjigje për portalin rtv21.tv shpjegoi se si ka ndodhur rasti.
“Nga provat fillestare në vendin e ngjarjes është konstatuar se punëtori i ndjerë ka qenë duke suvatuar në pjesen e jashtme të objektit në katin e gjashtë (6) nga ku edhe ka rënë për të përfunduar tragjikisht”, ka thënë kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.
Rasti po hetohet nga njësitet kompetente në koordinim me prokurorinë dhe Inspektoriatin e Punës./21Media

Back to top button