Kremlini konfirmon se Kim Jong Un do ta vizitojë Rusinë

(Lajm i përditësuar)


Kremlini ka konfirmuar se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un do të vizitojë Rusinë “në ditët në vijim”.

“Me ftesë të Presidentit të Federatës Ruse Vladimir Putin, Kryetari i Çështjeve Shtetërore të Republikës Popullore Demokratike të Koresë, Kim Jong Un do të bëjë një vizitë zyrtare në Rusi në ditët në vijim”, tha Kremlini në një deklaratë të hënën.

Deklarata nuk specifikoi një datë të saktë për vizitën.

Media shtetërore e Koresë së Veriut, KCNA raportoi të hënën se Kim do të “takojë dhe të bisedojë” me Putinin gjatë vizitës.

Nuk thuhet se kur do të zhvillohet takimi mes Kim dhe Putin.


Kim Jong Un thuhet se po shkon në Rusi për të takuar Putinin

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, duket se është në një tren për në Rusi, sipas zyrtarëve të cituar në shumë media koreano-jugore të hënën.

Raportet vijnë vetëm disa ditë pasi qeveria amerikane paralajmëroi se Kim së shpejti mund të udhëtojë në Rusi për të takuar Presidentin Vladimir Putin për diskutime mbi një marrëveshje të mundshme për furnizimin e Moskës me armë për luftën e saj kundër Ukrainës.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare tha javën e kaluar se negociatat për armët midis Rusisë dhe Koresë së Veriut janë “duke avancuar në mënyrë aktive”, pasi ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu vizitoi Phenianin në korrik në një përpjekje për të bindur zyrtarët e Koresë së Veriut që t’i shesin municion artilerie Moskës.

“Ne kemi informacione se Kim Jong Un pret që këto diskutime të vazhdojnë, duke përfshirë angazhimin diplomatik të nivelit të liderit në Rusi”, tha në një deklaratë zëdhënësja e këshillit, Adrienne Watson.
Watson nuk tha se kur dhe ku mund të zhvillohet një takim i mundshëm midis Kim dhe Putin në Rusi.

As Rusia dhe as Koreja e Veriut nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht takimin.

Në vitin 2019, Kim bëri udhëtimin e tij të parë në Rusi si lider i Koresë së Veriut dhe udhëtoi nga Pheniani në Vladivostok me një tren të blinduar të gjelbër. Të shkosh me tren është mënyra e preferuar e udhëtimit nga udhëheqësi i izoluar i Koresë së Veriut./21Media

Back to top button