Kuvendi mblidhet të enjten

(Lajm i përditësuar)


Të enjten do të mbahet seanca e parë plenare e Kuvendit të Kosovës për sesionin vjeshtor.

Deputetët pritet të shqyrtojnë disa marrëveshje ndërkombëtare, derisa pritet të mbahet edhe debati parlamentar për çështjen e sigurimit të librave shkollorë.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se pret efikasitet në Kuvend gjatë këtij sesioni vjeshtor.

E pyetur nga gazetarët, ajo foli edhe për takimin e 14 shatorit Kurti-Vuçiq, ku tha se pret zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kritikoi Kurtin për mungesë të transparencës në proces të dialogut.


Kryesia mblidhet për herë të parë për sesionin vjeshtor

Ka filluar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e para për sesionin vjeshtor.

Kryesia në rend të ditës për shqyrtim ka një sërë pikash, përfshirë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

Të njëjtit do të diskutojnë për caktimin e seancës së re plenare, por edhe shqyrtimin e pikave të mbetura nga seancat e kaluara.


07:30 – Kuvendi sot nis sesionin vjeshtor, Kryesia pritet t’i caktojë dy seanca

Kuvendi i Kosovës sot pritet të nisë sesionin e ri vjeshtor. Ai do të fillojë me mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që pritet të mbahet në orën 11:00.

Kryesia ka në rend ditë caktimin e dy seancave plenare, njëra me 23 pika e tjetra me 13. Ndër pikat e seancës së parë që pritet të caktohet, janë edhe votimi i 3 marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat pushteti, pa votat e opozitës nuk ka arritur t’i miratojë dhe shqyrtimi i dy marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare.

Kuvendi ka në procedurë 48 projektligje që kanë mbetur të papërfunduara nga sesionet e kaluara.

Gjatë sesionit pranveror deputetët kanë miratuar 43 ligje, që nuk është as gjysma e punës së kryer në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Back to top button