Kremlini refuzon të komentojë rreth pushtimit rus pas disa ditësh rezistencë

Kremlini nuk pranoi të komentojë të hënën mbi përparimin e të ashtuquajturit “operacion special ushtarak” rusë në Ukrainë, duke iu referuar pyetjeve për këtë çështje ushtrisë.
“Unë nuk mendoj se është koha për të përmbledhur rezultatet e operacionit ushtarak, ne duhet të presim përfundimin e operacionit,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Ushtria ruse ka pranuar viktimat, por nuk ka dhënë shifra të sakta.
Pushtimi i Moskës ka hasur në rezistencë “më të ashpër se sa pritej” nga ushtria ukrainase, si dhe vështirësi të papritura në furnizimin e forcave të saj.
Numri i fundit i vdekjeve të civilëve në Ukrainë është 102, me 304 persona të plagosur, por shifra e vërtetë dyshohet të jetë “dukshëm më e lartë”, tha të hënën Michelle Bachelet e OKB-së.
“Shumica e këtyre civilëve u vranë nga armë shpërthyese me një zonë të gjerë ndikimi, duke përfshirë granatimet nga artileria e rëndë dhe sistemet e raketave me shumë lëshime, dhe sulmet ajrore”, tha Bachelet.
Sipas Bachelet, 422,000 njerëz janë larguar nga Ukraina, ndërsa civilë të tjerë ende në vend janë “të detyruar të grumbullohen në forma të ndryshme strehimoresh për bomba, si stacionet e nëndheshme, për t’i shpëtuar shpërthimeve”. /21Media

Back to top button