“Krenar me rrugëtimin dhe transformimin e TMK-së në ushtri të Kosovës”

 

Sot bëhen 21 vjet nga themelimi i TMK-së, ku sipas marrëveshjes së Kumanovës dhe në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë, ishte paraparë çarmatimi i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe transformimi i saj në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”, ka kujtuar themelimin e TMK-së duke thënë se është krenar me rrugëtimin e saj në ushtri.

“Pas një lufte të pastër çlirimtare, bashkë me partneret strategjik perëndimor, ne jetësuam ëndrrën e Kosovës së lirë. Me të njëjtit aleat, ne nënshkruam demilitarizimin e UÇK-së, për t’i hapur rrugë 21 vjet më parë themelimit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, në kuadër të ndërtimit të institucioneve demokratike dhe të një shteti multietnik. Krenar me rrugëtimin dhe transformimin e TMK-së në ushtri të Kosovës, e cila sot është e gatshme për misione paqeruajtëse përkrah aleatëve, që dikur ndihmuan në çlirimin tonë”, ka shkruar Thaçi.

Shpërbërja e TMK-së është bërë me pajtimin e të gjithë faktorëve relevantë vendorë dhe të huaj. Më 21 janar 2009 u krijua Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila fillimisht kishte përgjegjësi që të përballet me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet, vërshimet ose zjarret që mund të kërcënojnë Kosovën.

Para dy vitesh FSK është shndërruar në ushtri të Kosovës, kurse Ministria e FSK-së në Ministri të Mbrojtjes./21Media

Back to top button