Krerët e shtetit nënshkruajnë aplikimin për anëtarësim në BE

 
Lajmi përditësuar
11: 35- Kurti: Aplikimi për në BE synon hapjen e një kapitulli të ri
Me zyrtarizmin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Kosova është duke treguar orientimin e saj euroatlantik. Kështu deklaroi kryeministri Albin Kurti, pas nënshkrimit të aplikimit.
“Sot po bëjmë hapin e parë drejtë anëtarësimit në BE. Aplikimin për anëtarësim të nënshkruar sot do t’ia dorëzojmë Presidencës së Çekisë të Bashkimit Evropian. Është moment historik me të cilin synojmë hapjen e një kapitulli të ri. “, tha Kurti.
Ai shtoi se Kosova do të ecë përpara me meritën dhe aftësitë e veta.
“Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe avancuese. Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Ne do të ecim përpara me meriten tonë, me aftësitë tona për t’i përmbushur kriteret. Pengesat dhe sfidat i kalojmë me zhvillim demokratik dhe progres shoqëror”, u shpreh Kurti./21Media

11:27 -Konjufca: Sot ditë e rëndësishme, bëmë hapin zyrtar drejt anëtarësimit në BE
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se dita e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është ditë shumë të rëndësishme.
“Meqë jemi mbledhur me shumë krenari e përkushtim që ta nënshkruajmë letrën e kërkesës në emër të Republikës së Kosovës për aplikim për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Ai shtoi se BE-ja është e plotë vetëm kur të gjitha kombet evropiane do të jenë pjesë e saj.
“Ky është hapi i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit të Kosovës drejt Bashkimin Evropian, një rrugë e cila ishte më të vërtete e gjatë dhe aspak e lehtë. Ky rrugëtim kalon përmes Komisionit Evropian nga i cili presim që t’ia rekomandojë Bashkimit Evropian, t’ia jap Kosovës statusin e merituar. Por, kuvendimi u takon megjithatë qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të cilat gjithashtu i ftojmë të veprojnë unanimisht dhe për ta dhënë miratimin e tyre”, u shpreh Konjufca.
Ai po ashtu deklaroi se Kosova e meriton të bëhet vend kandidat dhe ta nisë hapjen e negociatave drejt pranimit në BE./21Media

11: 20- Osmani: 14 dhjetori rëndësi të dyfishtë në historinë moderne të Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas nënshkrimit të aplikimit të Kosovës për në Bashkimin Evropian e cilësoi këtë si moment historik.
“14 dhjetori nga sot ka një rëndësi të dyfishtë në historinë moderne të Kosovës sonë në njërën anë po aplikojmë për anëtarësim në BE e në anën tjetër po e shënojmë përvjetorin e themelimit të ushtrisë sonë , të dyja këto akte që shkojnë në drejtim të realizmit të vizionit tonë euroatlantik”, tha Osmani.
Ajo shtoi se po merret hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës kolektive.
“Për Kosovën dhe qytetarët e saj nuk ka pasur kurrë alternativë tjetër, por ëndrrat bën realitet vetëm kur veprohet e ambiciet  bëhen të prekshme vetëm kur punohet.”, tha Osmani.
Më tej u shpreh se ky akt i dedikohet gjithë qytetarëve të Kosovës në vigjilje të 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë./21Media

11: 13- Krerët e shtetit nënshkruan aplikimin për anëtarësim në BE
Krerët e vendit nënshkruan sot aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Nënshkrimi i aplikimit u bë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.
Pas procesit të nënshkrimit ata po deklarohen për media.

08: 09- Kosova sot nënshkruan aplikimin për anëtarësim në BE
Sot duke filluar nga ora 11:00 do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Bashkim Evropian.
Aplikimi do të nënshkruhet nga Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri, Albin Kurti dhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Pas ceremonisë së nënshkrimit, Presidentja Osmani, Kryetari i Kuvendit Konjufca dhe Kryeministri Kurti do të kenë deklaratë për media”, thuhet në njoftim
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dje në mbledhjen e qeverisë njoftoi se Kosova do të aplikojë për BE brenda kësaj jave
Kurti tha se një gjë tillë po bëhet ashtu siç është3 paralajmëruar një vit më par, ndërsa shtoi se Kosova e ka vendin në BE.
“Para një viti bëmë të ditur se aplikimin për anëtarësim do ta bëjmë këtë vit dhe sot në këtë mbledhje po ju njoftojmë se aplikimin në Bashkimin Evropian do ta dorëzojmë këtë javë. Ka ardhur koha që statusin potencial për kandidat ta kthejmë zyrtarisht në kandidat për anëtarësim. Bashkimi Evropian është vend i paqes dhe vendi ynë natyrisht se e ka vendin në këtë shtëpi”, ka thënë ai në hyrje të mbledhjes së Qeverisë./21Media.

Back to top button