Kritikat për shfrytëzim politik të FSK-së në veri, Ministria e Mbrojtjes: S’kemi pse t’i komentojmë deklaratat e ambasadave

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës nuk ka pranuar të komentojë deklaratat e ambasadave të huaja në Kosovë lidhur me operacionin për gjetjen e trupit të një të riu në Liqenin e Ujmanit.
Ministria në një përgjigje për RTV21 thotë se s’kanë pse t’i komentojnë këto deklarata.
“FSK në veri ka kryer njërin ndër misionet e veta që është mbështetja e autoriteteve civile në fushën e kërkim-shpëtimit, prandaj reagimet e ambasadave s’kemi pse t’i komentojmë..”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
Lidhur me këtë operacion Ambasada e Gjermanisë në Kosovë dje përmes një reagimi për media kanë thënë se janë të shqetësuar për politizimin kësaj vendosje të FSK-së në Veri.
“Deklaratat nga aktorët politikë që e paraqesin këtë mision si “operacioni i parë i FSK-së në veri të Kosovës” e keqinterpretojnë qëllimin dhe frymën e vendosjes. Po aq shqetësuese janë akuzat për imazhe të manipuluara – konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it – për të promovuar një narrativë mashtruese. Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut dhe të shkëpusin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit”, thuhej në reagimin e Ambasadës gjermane.
Derisa edhe ambasadori francez në Kosovë , Olivier Guerot, teksa ka komentuar gjithë politizimin dhe kornizimin politik të kësaj vendosje të FSK-së në Veri, ka thënë e KFOR meriton respektin e të gjithëve.
“Mbështetja e plotë e Francës për KFOR-in dhe Komandantin e tij. Që nga krijimi i tij, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në sigurinë e të gjithëve. KFOR meriton respektin dhe njohjen e të gjithë palëve të interesuara në rajon. Franca do të vazhdojë t’i ofrojë atij gjithë mbështetjen e nevojshme në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike. Gjithashtu, shpreh respekt për mediat që raportuan me saktësi rolin e KFOR-it në përpjekjet për të gjetur trupin e personit të zhdukur nga Liqeni i Ujmanit”, ka thënë ai./21Media