Kritikohet zvarritja e miratimit të marrëveshjes për Bordin e Paqes

Janë bërë gati tre muaj që kur Kosova nënshkroi marrëveshjen për anëtarësim në Bordin e Paqes të udhëhequr nga SHBA-ja dhe e njëjta ende nuk është miratuar në Kuvend.

Kjo pasi marrëveshja është bllokuar në Komisionin për Punë të Jashtme ku partia në pushtet ka kërkuar ndryshim të një paragrafi në nenin dy të projektligjit për marrëveshjen, për çka është krijuar edhe një Grup punues me pajtimin edhe të opozitës.

Për këtë çështje ish-ministri i punëve të Jashtme deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj është shprehur i shqetësuar, siç ka thënë, me përpjekjet për të ndryshuar traktatin e Bordit të Paqes.

Sipas tij, shtetet duhet të jenë serioze për çka thonë dhe dakordohen jashtë vendit.

“Mënyra sesi ish presidentja në Davos, pa iniciuar një temë të tillë në qeveri, i ka dhënë mbështetje një projekti të tillë ka qenë një shkelje. Por jam më shumë i shqetësuar sesi tash shumica parlamentare po bën përpjekje për të bërë shkeljen e dytë për të ndryshuar traktatin e Bordit të Paqes. Politika e jashtme nuk është një platformë ku plotësohen dëshirat, as ku përplasen egot, por është një proces ku shtetet duhet të jenë serioze për çka thonë jashtë dhe zbatojnë brenda…. Ne nuk mundemi të nënshkruajmë diçka tjetër jashtë dhe të mbajmë qëndrim krejt tjetër brenda. Ftesa ime është që t’i jepni fund këtij cirku politik dhe të sillni projektligjin në Kuvend”, tha ai.

Hoxhajt i reagoi kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga LVV-ja, Arbëreshë Kryeziu e cila tha se mazhoranca nuk është kundër anëtarësimit në Bordin e Paqes, por marrëveshja duhet të jetë e harmonizuar me juridiksionin e Kosovës.

Sipas saj, një marrëveshje të tillë, përveç Shqipërisë, nuk e ka miratuar ende asnjë shtet tjetër.

“Dakordimi ka qenë i përbashkët që të formohet një grup punues ku ju zoti Hoxhaj jeni propozuar si përfaqësues i partive opozitare. Më vjen mirë pasi besoj se do të jepni kontributin profesional në hartimin e drejtë të këtij projektligji… Deri tani vetëm Shqipëria e ka ratifikuar këtë marrëveshje dhe askush tjetër, pasi ideja është që ligji të harmonizohet me juridiksionet e shteteve anëtare. S’ka asgjë për t’u shqetësuar dhe aq më pak për ta bërë të duket sikur ne e kundërshtojmë. Nuk jemi kundër, por jemi të interesuar që ai projektligj të jetë i harmonizuar dhe i rregulluar mirë”.

Paragrafi që po kërkohet të ndryshohet në nenin 2 të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes përcakton se Objektivi kryesor i Bordit të Paqes është promovimi i stabilitetit, rivendosja e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe garantimi i paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.

Drejtori i Instituti Kipred, Lulzim Peci në “Click” të RTV 21 tha se në rast se nuk aprovohet nga Kuvendi marrëveshja për Bordin e Paqes, do të rrezikohej stabiliteti i Kosovës.

“Kjo është me ia fut drejt në sy gishtin administratës së SHBA-së, e tash nëse do dikush këtu me lujt këtë lojë, atëherë duhet me përsërit dikë që ka thënë është kah bën bixhoz me fatin e vendit edhe në një kohë kur jo rastësisht është vënë në diskutim tërheqja e trupave amerikane prej Evropës, duke përfshirë edhe Kosovën, e tash nashta dikush do me u tërheq trupat amerikane prej Kosovës, edhe mandej e shohim çka po bëhet me neve e mandej flasim për sovranitet…”, tha ai, duke shprehur dyshimet se Evropa do të intervenojë për të mbrojtur ushtarakisht Kosovën”, tha Peci.

Ish-kryetari i Gjykatës kushtetuese Enver Hasani ditë më parë ndërkaq ka deklaruar se marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes s’mund të ndryshohet.

Ish-Komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati e cilëson si gabim zvarritjen e kësaj marrëveshjeje për miratim në Kuvend.

Para se të dërgohet për ratifikim në Kuvend, Marrëveshja ndërkombëtare për anëtarësim në Bordin e Paqes fillimisht do të kaloj në duart e grupit punues, do të merret një opinion nga Qeveria, e pastaj pritet të shqyrtohet në Komisionin për Punë të Jashtme./RTV21/21Media

Back to top button