Kriza në Ukrainë: FIFA thotë se lojtarët e huaj mund të largohen nga Rusia

Futbollistët e huaj që luajnë në Rusi mund të pezullojnë kontratat e tyre dhe të largohen përkohësisht nga vendi.

FIFA e bëri njoftimin si rezultat i pushtimit të vazhdueshëm rus në Ukrainë.

Klubet ruse të futbollit dhe ekipet kombëtare u pezulluan javën e kaluar nga të gjitha garat “deri në njoftimin e mëtejshëm” nga FIFA dhe UEFA.

“FIFA dëshiron të përsërisë dënimin e saj për përdorimin e vazhdueshëm të forcës nga Rusia në Ukrainë”, u bë e ditur në deklaratë.

Në deklaratë, organi qeverisës botëror shtoi se lojtarët dhe trajnerët e huaj do të kenë të drejtë të pezullojnë në mënyrë të njëanshme kontratat e punës me klubet në fjalë deri në fund të sezonit në Rusi (30 qershor 2022).

“Lojtarët dhe trajnerët do të konsiderohen jashtë kontratës deri më 30 qershor 2022 dhe për këtë arsye do të jenë të lirë të nënshkruajnë një kontratë me një klub tjetër pa u përballur me pasoja të çfarëdo lloji”.

Sindikata e lojtarëve, Fifpro njoftoi se masat nuk shkuan aq larg sa duhet.

“Ndërsa disa masa të miratuara sot janë ndryshime të dobishme, vendimi për të lejuar lojtarët e huaj të pezullojnë vetëm kontratat e tyre dhe kështu të largohen vetëm përkohësisht nga klubet ruse është shumë i turpshëm. Do të jetë e vështirë për lojtarët të gjejnë punë për pjesën e mbetur të sezonit me pasiguri që i kanoset dhe, brenda pak javësh, ata do të jenë sërish në një situatë shumë të vështirë.”, u bë e ditur në deklaratë.

Këta lojtarë duhet të lejohen të ndërpresin kontratat e tyre, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv

Unioni Rus i Futbollit tha se do të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (Cas) për të apeluar kundër ndalimit të tij nga garat ndërkombëtare. Skuadra ruse Spartak Moska është përjashtuar nga Europa League dhe finalja e Ligës së Kampionëve 2022, që fillimisht do të luhej në Shën Petersburg më 28 maj, është zhvendosur në Paris./21Media

Back to top button