Kaloni te përmbajtja kryesore

Kriza po lë gjurmë, vendi s’guxon të dalë nga rruga evropiane

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, thotë se kjo krizë duhet të zgjidhet sa më shpejtë

Kriza politike po lë një zbrazëtirë në rrugën evro-integruese të Maqedonisë. Ngecja dyvjeçare në vend, lë pasoja duke e shkatërruar renomenë e vendit tonë në Evropë dhe në Brukselin zyrtar. Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Arbër Ademi, mendon që kjo krizë duhet të zgjidhet sa më shpejtë, për shkak se ekziston një rrezik për Maqedoni që të dalë nga rruga evropiane.

“Kriza politike duhet të zgjidhet, institucionet duhet të fillojnë të funksionojnë dhe patjetër duhet të vazhdojë procesi euro-integrativ, sepse tjetër alternativë nuk kemi”, tha Arbër Ademi, Zëvendës Kryeministër për çështje Evropiane.

Të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë po presin që të zgjidhet kryetari i kuvendit dhe kabineti i ri qeveritar, për të lëvizur punët përpara, thotë ambasadorja Kristine Allthauzer.

“Prioritet i lartë në këtë proces për qasje në BE, është korniza reformuese, dhe kjo duhet të zbatohet pa dilema dhe në mënyrë intensive. Parakusht për këtë është që të zgjidhet qeveria funksionale, gjë që të gjithë ne e presim”, u shpreh Kristine Allthauzer, Ambasadorja Gjermane në Maqedoni.

Për institucionet e bllokuara dhe mos dhënia e mandatit për të formuar qeveri, para disa ditëve shkruante gazeta gjermane Der Shpigel, e cila duke u bazuar në burimet e veta, thotë që disa vende anëtarë të BE-së, mendojnë për të sjellë sanksione për disa politikanë të Maqedonisë, për shkak të bllokimit të proceseve demokratike. Në lidhje me këtë kërkuam përgjigje nga euroambasadori Samuel Zhbogar, por nuk morëm përgjigje, shkruan tv21.tv.

-Nuk përgjigjem pyetjeve, tha Zhbogar.

A do të debllokohet puna në Kuvend, dhe se a do të lëvizin përpara proceset demokratike, do ta kuptojmë pas vizitës së zëvendës ndihmësit të sekretarit shtetëror të SHBA-së, Brajan Hojt Ji, i cili të hënën do të mbërrijë në Shkup. Ai do të takohet me liderët e partive politike, por jo edhe me Ivanovin, i cili për shkak të agjendës së tij nuk do të mundet ta presë Hojt Ji-në./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button