Krizat institucionale i humbin vite Kosovës, paralajmërohet që edhe 2026-ta do të jetë “vit i humbur”

Vlerësimi negativ që mori Kosova për vitin 2025 nga raportuesi evropian Riho Terras si shkak i bllokadës institucionale më shumë se një vjeçare, duket se do ta përcjellë edhe vitin 2026.
Kjo pasi, sipas ish-ambasadorja Alma Lama vendi ka hyrë në një krizë të re institucionale me moszgjedhjen e presidentit të ri, gjë e cila u pasqyrua edhe në raportin e Terrasit i cili shprehu keqardhje që presidenti nuk u zgjodh brenda afatit kushtetues.
“Raporti s’mund të cilësohet ndryshe sepse 2035 ka qene i humbur institucionet s’kanë punuar. Fatkeqësia është se ne po hyjmë në vitin e dytë të mosfunksionimit ose viti të humbur sepse nga zgjedhjet po shkojmë sërish në zgjedhje. Viti sa ka filluar te konsiderohet i tillë. Rrugën e anëtarësimit në BE e ngadalësojnë dhe e ndalojnë tërësisht kjo lloj sjellje e qeverisë e institucioneve të Kosovës”, tha Lama.
Në raportin e Terrasit, 2025 ta konsiderohet vit i humbur për Kosovën, pasi siç thuhet për shkak të zgjedhjeve të rregullta në shkurt, as trupi legjislativ as Qeveria nuk u funksionalizuan.
Drejtoresha e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Njomza Arifi thotë se raporti është vetëm një rikonfirmim i pasojave që ka shkaktuar kriza institucionale e viti të kaluar e cila, sipas saj, mund të thellohet gjatë këtij viti.
“Raporti ka konfirmuar atë çka ne kemi thënë qe 2025 ka qene i humbur sa i përket reformave ne rrugëtimin integrues të Kosovës…Brukseli po i sheh me shqetësim zhvillimet e fundit duke konsideruar se kriza politike e2025 vetëm sa mund të thellohet me zhvillimet e fundit. Prandaj është një lloj paralajmërimi se kriza e 2025 mund të thellohet duke krijuar situatë me te rrezikshme për reformat. Kjo varet çka thotë gjykata por te gjitha veprimet e deritanishme tregojnë për një krize te thele institucionale qe i bie qe mund te jetë vit i humbur nëse Kosova nuk arrin shumë shpejtë të dalë nga ky jostabilitet institucional”, tha Arifi.
Një nga pasojat e krizës aktuale institucionale që shkaktoi çështja e presidentit të ri ishte shtyrja e vizitës së komisionares për Zgjerim të BE-së, Marta Kos për në Kosovë./RTV21/21Media