KRM “Pastrimi”: Në muajt e ardhshëm do të rrisim pagat e punëtorëve

(Lajm i përditësuar)

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” informoi se menaxhmenti i kompanisë dhe bordi i drejtorëve sot u deklaruan se janë për ngritjen e pagave për punëtorët. Siç u bë e ditur në komunikatë, palët u pajtuan që muajve të ardhshëm të ketë ngritje të pagave në bazë të mundësive (të hyrave shtesë) të krijuara me kontratën e re.

Në anën tjetër, Sindikata e Pavarur e Punëtorëve, siç u potencua, qëndron në qëndrimet e veta që ngritja të bëhet menjëherë dhe të bëhet sipas kërkesës së saj.

“Lidhur me grevën e organizuar nga Sindikata e Pavarur e KRM “Pastrimi”, ju njoftojmë se pas shprehjes së pakënaqësisë të punëtorëve lidhur me ngritjen e pagave, sot me dt. 13.03.2023 u organizua takimi i radhës në mes të Menaxhmentit të Kompanisë, Bordit të Drejtorëve dhe Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të KRM “Pastrimi”, SH.A. Gjatë këtij takimi u diskutua dhe është analizuar gjendja financiare e kompanisë dhe mundësia e ngritjes së pagave të punonjësve. Menaxhmenti i Kompanisë “Pastrimi”, dhe Bordi i Drejtorëve u deklaruan se është për ngritjen e pagave meqenëse me kontratën e re të po sa nënshkruar në mes të Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë ”Pastrimi”, SH.A, ka një rritje të numrit të klientëve, dhe kjo rritje e numrit të klientëve do duhej të reflektonte në përmirësimin e gjendjes financiare të kompanisë, andaj Menaxhmenti i Kompanisë dhe Bordi i Drejtorëve u zotuan që muajve të ardhshëm të ketë ngritje të pagave në bazë të mundësive-(të hyrave shtesë) të krijuara me kontratën e re”, u bë e ditur në komunikatë.

Megjithatë, u shtua se diskutimet dhe analizimi i gjendjes financiare e KRM ”Pastrimi” SH.A në mes palëve po vazhdon.

Protestojnë punëtorët e “Pastrimit”

Mbi 800 punëtorë të Kompanisë “Pastrimi” në Prishtinë po protestojnë për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve jo të mira të punës.

Kryetari i Sindikatës, Florim Cakiqi pas takimit me bordin drejtues të kompanisë tha se protesta e tyre do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave./21Media

Back to top button