Kaloni te përmbajtja kryesore

​Përkujtohet figura Xheladin Gashit-Komandant Plaku në ditën e shkollës

Në ambientet e shkollës që mban emrin e heroit Xheladin Gashi, është shënuar dita e shkollës me një program të pasur artistik dhe përkujtimor. Aktiviteti u karakterizua me valle, muzikë korale dhe fjalime kushtuar jetës dhe veprës së Komandant Plakut, ndërsa u ndanë edhe mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar.

Drejtori i shkollës, Imer Behrami, tha se kjo ditë është simbol krenarie dhe respekti për të gjithë ata që kontribuuan për lirinë dhe arsimin.

“Sot, kjo shkollë me krenari mban emrin e ideologut, mësuesit, atdhetarit dhe luftëtarit Xheladin Gashi – Plaku. Në këtë ditë të veçantë të shkollës, me krenari kujtojmë dhe nderojmë mësimdhënësit tanë, nxënësit tanë, punëtorët dhe të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka, që ne sot të jetojmë dhe ta festojmë lirinë”, u shpreh ai.

Gjatë manifestimit u theksua edhe rëndësia e ruajtjes së kujtimit për figurat që dhanë kontribut për vendin dhe lirinë.

Në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti vajza e Komandant Plakut, Lumije Gashi.

“Sot është një ditë krenarie dhe kujtimi. Festojmë Ditën e Shkollës dhe kujtojmë gjeneralin Xheladin Gashi, mësuesin dhe njeriun që ia kushtoi jetën lirisë dhe vendit. Sakrifica e tyre është themel i lirisë sonë, amanet që nuk guxon të harrohet kurrë”, tha ajo.

Ndryshe, Xheladin Gashi, komandant “Plaku” u lind në Bushat (ish-Komoran) më 25 maj 1946. Ai ishte njëri nga themeluesit e celulave të para të UÇK-së, si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm që nga themelimi i UÇK-së.

Komandant Plaku vdiq në vitin 2005, kurse në atë kohë ai ishte në krye të Shoqatës “Miqtë e TMK-së”.

Me emrin e tij është emëruar Shkolla Fillore në Komoran, në të cilën shkollë Plaku ishte nxënës dhe po ashtu për shumë vite ka punuar si mësimdhënës. Ndërsa ish-presidentja Atifete Jahjaga e dekoroi me medaljen “Heroi i Kombit”.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button