“Krusha” sot mban konferencë për media: Do t’i demantojmë shpifjet e Pecit

Korporata Bujqësore “KRUSHA” së bashku me Fahrije Hotin, sot do të mbajnë konferencë për media me fillim nga ora 11:00.

KB Krusha dhe Fahrie Hoti kanë reaguar në lidhje me një postim të Ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, i cili kishte deklaruar se kjo ministri kishte paditur Hotin në vitin 2017.

KB Krusha e ka quajtur shpifje këtë deklaratë.

Në një reagim nga KB Krusha thuhet se deklaratat se Fahrije Hoti është paditur nga Ministria e Bujqësisë në vitin 2017 për kthimin e një shume prej 17,800 eurosh janë të pabaza dhe tendencioze.

“Duke marrë parasysh se kohëve të fundit, përmes rrjeteve sociale dhe faqes zyrtare të Facebook-ut të Ministrit të Bujqësisë, z. Faton Peci, po qarkullojnë deklarata dhe informacione të pabaza dhe tendencioze, me pretendimin se znj. Fahrije Hoti është paditur nga Ministria e Bujqësisë në vitin 2017 për kthimin e një shume prej 17,800 eurosh, ne ndjejmë të nevojshme të reagojmë. Gjithashtu, kemi vërejtur një përpjekje për të politizuar këtë situatë, duke e lidhur atë me ngjyrime partiake, çka është e papranueshme dhe e pavërtetë.

Për këtë arsye, ftojmë të gjitha mediat e Kosovës të marrin pjesë në një konferencë shtypi, ku do të paraqiten fakte dhe argumente që demantojnë këto pretendime të rreme të shpërndara nga z. Peci”, thuhet tutje në njoftim.  /21Media

Back to top button