Kryeministri italian, Mario Draghi dështoi në përpjekjen për të ringjallur qeverinë

Kur kryeministri Mario Draghi njoftoi se italianët e kishin bindur të mos jepte dorëheqjen, për pjesën më të madhe të së mërkurës dukej sikur qeveria e tij e unitetit kombëtar do të mbijetonte.
Ai bëri thirrje për një pakt të ri dhe një votëbesimi në Senat.
Por, disa orë më vonë tri parti në koalicion thanë se nuk do të merrnin pjesë në votim.
Tani, pas një viti e gjysmë, qeveria e tij me bazë të gjerë, që përfshin të djathtën dhe të majtën, do të bie.
Pas asaj që lideri i qendrës së majtë e quajti një ditë çmendurie, Draghi fitoi votën, por, i privuar nga mbështetja e tri partive, ai tani ka të ngjarë të japë dorëheqjen e tij për herë të dytë brenda një jave. Megjithatë, ai së pari do të marrë pjesë në debatin e së enjtes në dhomën e ulët të parlamentit.
Drama politike e Italisë ka filluar të enjten e kaluar, kur ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane 74-vjeçar ia ka dorëzuar presidentit dorëheqjen e tij, sepse lëvizja populiste Pesë Yjet ishte tërhequr nga një votëbesimi për një paketë ndihme prej shumë miliardë eurosh për familjet dhe bizneset.
Presidenti Sergio Mattarella e ka refuzuar dorëheqjen e tij dhe gjashtë ditë më vonë Draghi i tha Senatit se ishte e pamundur të injoroheshin thirrjet publike për të qëndruar në detyrë.
Një marrëveshje krejtësisht e re ishte “e vetmja mënyrë, nëse duam të qëndrojmë së bashku”, tha ai, duke bërë thirrje për një qeveri të fortë dhe kohezive. “A jeni partitë dhe ju deputetë të gatshëm për të rindërtuar këtë pakt?
Qendra e majtë i dha z. Draghi mbështetjen e saj, por të gjitha partitë patën një sy në zgjedhjet e ardhshme.
Gjatë një debati të ashpër në Senat u bë e qartë se partitë e së djathtës Liga dhe e qendrës së djathtë, Forza Italia nuk ishin të përgatitura të qëndronin në qeveri me lëvizjen populiste Pesë Yjet që shkaktoi krizën në radhë të parë. Të tri refuzuan të marrin pjesë në votim.
Ish-udhëheqësi i Pesë Yjeve, Luigi di Maio, tha se ishte një “faqe e zezë” për Italinë dhe politika kishte dështuar. Ministrja e Çështjeve Rajonale, Mariastella Gelmini tha se po largohej nga Forza Italia, duke akuzuar partinë e qendrës së djathtë se u kishte kthyer shpinën italianëve dhe se iu dorëzua ekstremit të djathtë.
Partia Demokratike e qendrës së majtë tha që tani do të përgatitet për fushatën zgjedhore, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv
Pasi ai ka dhënë dorëheqjen e tij të enjten e kaluar, janë zhvilluan disa protesta duke kërkuar që Draghi të qëndronte në detyrë dhe sondazhet treguan se shumica e italianëve ishin dakord. Rreth 2,000 kryetarë bashkie, si dhe 250 drejtues biznesi e mbështetën atë.
Ekonomia e tretë më e madhe e BE-së tani duket e gatshme për zgjedhje të parakohshme, duke vonuar reformat shumë të nevojshme, si dhe buxhetin e vitit të ardhshëm. Italia është marrësi më i madh i granteve dhe kredive nga fondi i rimëkëmbjes së Covid-it të BE-së, por kësti i ardhshëm i tij varet nga një listë ndryshimesh./21Media

Back to top button