Kryeministri iu premton pensionistëve pension dinjitoz
Haradinaj u takua me kryetarin e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka premtuar se qeveria që ai drejton do t’i përmbushë të gjitha obligimet ligjore me synimin që pensionistëve gradualisht t’iu sigurohet një pension dinjitoz.
Ai këto komente i bëri sot gjatë një takimi me kryetarin e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi ku u shqyrtuan modalitetet për ngritjen e mirëqenies së kësaj kategorie.
Haradinaj tha se Qeveria do të angazhohet në vazhdimësi në përmirësimin e kushteve jetësore të pensionistëve kosovarë.
“Po punojmë në reformën e sistemit pensional që do të gjejë zbatim në afat optimal”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi në emër të pensionistëve falënderoi kryeministrin Haradinaj dhe Qeverinë për angazhimet në përmirësimin e kushteve të pensionistëve dhe realizimin e të drejtave të tyre./21Media