Kryeministri Kurti bën thirrje për vaksinim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sonte iu ka bërë thirrje qytetarëve për t’u vaksinuar, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen e virusit.
“Distanca fizike, maskat dhe higjiena personale janë të domosdoshme, por detyrë mbi çdo detyrë për të gjithë ne si qytetarë të përgjegjshëm të Republikës së Kosovës është vaksinimi.Varianti Delta i virusit Corona tanimë është varianti dominues në Kosovë. Ashtu siç është parë edhe në botë, kjo valë është më dramatike se secila valë tjetër, për shkak të përhapjes shumë të shpejtë të virusit.Vaksinimi është e vetmja mënyrë për të parandaluar. Sipas raporteve që kemi asnjë të vdekur nuk e kemi nga ata që janë vaksinuar. Kemi shumë pak të hospitalizuar nga ata që janë vaksinuar dhe të hospitalizuarit e vaksinuar po e përballojnë shumë më lehtë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ndërkohë, vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar katër viktima dhe 2110 raste të reja me Covid-19. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është thënë se gjendja është alarmante, si pasojë e së cilës janë miratuar masat e propozuara nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kryeministri Kurti ka potencuar se ndërmarrja e këtyre masave të reja është e detyrueshme në mënyrë që të ngadalësohet ritmi i infeksioneve.
“Në anën tjetër, përkundër asaj se vaksinimi po shkon mirë, e kemi të detyrueshme ndërmarrjen e masave të reja të cilat do ta ngadalësojnë ritmin e infeksioneve dhe me këtë të ruajmë shëndetin publik. Prandaj, duke ju referuar të dhënave aktuale mbi situatën epidemiologjike, morëm vendim për masa të reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Përballë përhapjes eksplozive të variantit Delta të virusit, krahas respektimit të masave, për secilin prej nesh mburoja është vaksina, kurse për të gjithë së bashku vaksinimi masiv. “Ju bëj thirrje që të caktoni terminet për vaksinim në platformën https://ekosova.rks-gov.net dhe të vazhdojmë me procesin e vaksinimit, sepse varianti Delta është i pandalshëm”, është shkruar tutje në postimin e Kurtit./21Media

Back to top button