Kryeministri Kurti për Fetiun: Albanolog e atdhetar i pakompromis

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në tryezën shkencore kushtuar studiuesit të albanologjisë, profesorit dhe drejtuesit shumëvjeçar të Institutit Albanalogjik të Prishtinës, Sadri Fetiu, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij.
Kryeministri Kurti e lartësoi figurën e profesor Fetiut, duke e përshkruar atë si pedagog të urtë, i cili rrezatonte te nxënësit dashamirësi, humanizëm, kulturë, sinqeritet.
“Njerëzit e mëdhenj janë të prirur ta shohin veten të vogël. Profesor Fetiu jetonte dhe sillej me thjeshtësi e përulësi ndaj secilit njeri. Ai i argumentonte vendimet shtruar e me qetësi dhe pranonte mendimet e tjetrit me mirëkuptim”, tha kryeministri Kurti.
Ai e solli në kujtesë rezistencën e profesor Fetiut në mbrojtje të Institutit Albanologjik, kur forcat e regjimit serb ndërhynë dhunshëm në institucionin shkencor, në mars të vitit 1994.
I doktoruar në “Poetikën e baladës popullore shqiptare”, në pasqyrën e bibliografisë së Fetiut, përfshihen dhjetëra punime profesionale dhe shkencore. Krahas punës për mbledhjen e materialeve folklorike, ka botuar një numër studimesh nga fusha e folkloristikës shqiptare, romane, analiza e përkthime të poezive dhe librave studimorë.
“Me pasionin që kishte për studime e hulumtime shkencore, albanologu ynë i pakompromis me siguri do ta pasuronte bibliografinë e tij dhe kulturën tonë edhe me shumë botime e studime të tjera sikur të mos na e rrëmbente vdekja, më 10 maj të vitit të kaluar”, shtoi kryeministri.
Ai i përgëzoi organizatorët për tryezën shkencore në nderim të profesorit Fetiu, sepse siç tha kryeministri, një studiues i përkushtuar për gjuhën, letërsinë, kulturën dhe traditën e popullit të vet s’mund të kujtohet më mirë përveçse duke i tubuar pranë tryezës studiuesit, që me diskutime e kumtesa të ndriçojnë një pjesë të veprimtarisë së tij shkencore, intelektuale dhe atdhetare.
“Do të dëshironim që sot, në ditëlindjen e 80-të, profesori të ishte këtu me ne, që të na pasuronte këtë tryezë me mendimet e ndritura apo me përmbledhjet më të reja nga folklori ynë i pasur. E ne t’ia shprehnim atij nga afër gjithë nderimin dhe falënderimin për kontributin e pakursyer për kombin, arsimimin e shumë brezave dhe përparimin e studimeve albanologjike”, tha kryeministri./21Media

Back to top button