Kryeministri polak mesazh NATO-s: Rusia don ta përçajë Bashkimin Evropian

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, tha se aleatët e NATO-s “duhet të zgjohen” përballë përpjekjeve ruse për të destabilizuar rajonin.
Në një intervistë për BBC-në, kryeministri polak tha se ngjarjet e fundit tregojnë se Kremlini dhe aleatët e tij duan “ta ndryshojnë sistemin gjeopolitik” dhe “ta përçajnë Bashkimin Evropian”.
Morawiecki përmendi këtu rritjen e pranisë ruse pranë kufirit me Ukrainën, rritjen e çmimeve të gazit dhe krizën me migrantë në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë.
Ai i bëri komentet në prag të një takimi të ministrave të NATO-s, që pritet të mbahet gjatë ditës së martë.
NATO, e cila është aleanca më e fuqishme e mbrojtjes në botë, dhe udhëheqësit e BE-së e kanë akuzuar Bjellorusinë së voni për orkestrimin e krizës me migrantë në kufirin e saj me Poloninë.
Morawiecki tha se “nuk është tepër vonë për të vepruar”, por shtoi se mund të jetë vonë pas disa muajsh.
“Gjëra të këqija mund të ndodhin në Ukrainë, për shembull; ose, mund të ketë një problem tjetër të madh me migracionin në të gjithë Evropën”, tha Morawiecki.
Ai tha se beson se “autor” i krizës me migrantë është udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, por, sipas tij, “ai e ka sponsorin e tij, ai e ka drejtorin e tij” në Kremlin – duke iu referuar kështu presidentit rus, Vladimir Putin.
“Të gjitha pjesët e enigmës së bashku paraqesin një pamje jo shumë të mirë”, tha Morawiecki.
Në anën tjetër sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka paralajmëruar Moskën se çdo agresion i ri në Ukrainë do të nxiste “pasoja serioze”. Këto paralajmërime vijnë në kohën e rritjes së shqetësimeve pasi Rusia ka grumbulluar ushtrinë pranë kufirit me Ukrainën.
Duke folur sot, në një konferencë për media në Riga të Letonisë, ku po merr pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s, Blinken tha se grumbullimi i ushtrisë ruse ishte i “pazakonshëm” dhe shtoi se “çdo veprim përshkallëzues nga Rusia do të ishte shqetësim i madh për Shtetet e Bashkuara”.
Aleatët duan që t’ia bëjnë me dije Kremlinit se do të përballet me pasoja nëse e kërcënon Ukrainën, teksa nuk duan që të provokojnë Moskën, gjë që do të nxiste një agresion të ri./21Media

Back to top button