Kryeministri takohet me kadetët e FSK-së, studentë të Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë
Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtes, Armend Mehaj, koloneli i FSK-së, Hamdi Pollomi dhe asistentja ekzekutive e Kryeministrit, Valë Gjonbalaj, sot pritën në takim katër kadetët e Forcës së Sigurisë Kosovës, Alma Kolollin, Blend Spahiun, Diogjena Rrudhanin dhe Endi Sherifim, që janë duke ndjekur studimet në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Në takimin, që u mbajt pikërisht në Ditën e Flamurit, siç informoi Zyra e Kryeministrit, Kurti ua uroi këtë festë të rëndësishme për kombin tonë katër kadetëve të pranishëm.
Ai i inkurajoi që të përfitojnë sa më shumë prej Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe nga ndërveprimet me ushtarakët e Forcave të Armatosura Shqiptare.
“Krahas dijes dhe përvojave, lidhjet personale që krijohen me ushtarakët e Shqipërisë janë po aq të rëndësishme. Ura që ndërtohet përmes juve është tejet e vlefshme, u shpreh Kryeministri.
Ndërsa, kadetët u shprehën se për ta është krenari që të përfaqësojnë Kosovën në këtë institucion të rëndësishëm, kurse nder që të takohen me kryeministrin Kurti në këtë datë të sotme.
Ky është brezi i parë i kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që për 3 vjet do të ndjekë studimet në këtë akademi./21Media