Përfundojnë takimet mes Kosovës dhe Serbisë për dinarin

(Lajm i përditësuar)

Përfundojnë takimet mes Kosovës dhe Serbisë për dinarin

Kanë përfunduar takimet në Bruksel për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë më 1 shkurt.

Fillimisht, më herët gjatë ditës, u zhvillua një takim trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Më pas, Lajçak zhvilloi takime dypalëshe me dy delegacionet.


Nis takimi trepalësh për dinarin në Bruksel

Ka filluar një takim trepalësh mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve, me ndërmjetësuesin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë muajin e kaluar.

Për dallim nga takimi i javës së kaluar, kur Lajçak së pari mbajti takime ndarëse me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, në takimin e sotëm ai i takoi ata menjëherë në një takim trepalësh.

Takimi i sotëm është vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit.


Kryenegociatorët takohen sot në Bruksel, vazhdojnë bisedimet për dinarin

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, pritet të takohen sot në Bruksel me ndërmjetësimin e të Dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak

Këtë e bëri të ditur më 19 mars emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit mes kryenegociatorëve në kryeqyendrën evropiane.

Lajçak në një postim në platformën “X” njoftoi se në mesin e temave të diskutuara në takim ishte edhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesa me para të gatshme.

Në takimin e fundit që kryenegociatorët e të dy vendeve zhvilluan nën kujdesin e Lajçakut në Bruksel mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit serb brenda territorit, palët u dakorduan që deri më 22 mars t’i çonin propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.

Megjithatë, akoma nuk dihet nëse palët kanë respektuar afatet kohore. Nga ekzekutivi kosovar nuk është bërë e ditur nëse kanë dërguar propozime për dinarin, duke u kapur pas planit 10-pikësh të BQK-së që mundëson një fazë lehtësuese kalimtare – do të zgjasë jo më shumë se tre muaj, në mënyrë që qytetarët e komunitetit serb të mos dëmtohen nga zbatimi i vendimit.

Përderisa shefi i delegacionit kosovar njoftoi se palët duhet t’i dorëzojnë propozimet e veta mbi çështjen e ndalimit të dinarit serb, shefi i delegacionit serb theksoi të ketë këmbëngulur në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sepse, sipas tij, ky mekanizëm do ta zgjidhte edhe çështjen e financimit të të gjitha “institucioneve serbe” në Kosovë.

Back to top button