Kryeprokurori kërkon themelimin e tri departamenteve në Prokurorinë Speciale

Departamenti për krim të organizuar, për terrorizëm dhe për korrupsion

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, kërkon themelimin e tri departamenteve në Prokurorinë Speciale: Departamenti për Krim të Organizuar dhe krime tjera në kompetencë të PSRK, Departamenti për Terrorizëm, Departamenti për Korrupsion dhe Krim Financiar.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Isufaj e ka dorëzuar kërkesën për themelimin e këtyre departamenteve në Këshillin Prokurorial dhe Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Kërkesa është bazuar në Strategjinë për Riorganizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila strategji është përgatitur me iniciativë të Kryeprokurorit Isufaj, pas marrjes së pozitës së Kryeprokurorit të PSRK-së.”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë Speciale , qëllimi i themelimit të këtyre departamenteve në kuadër të kësaj prokurorie do të mundësojë ngritjen e efikasitetit, efektivitetit, llogaridhënies dhe kualitetit të punës së PSRK-së./21Media

Back to top button