Kryesia e PDK-së miraton strukturën e KQM-së dhe organizimin në mërgatë

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku ka marrë disa vendime.
Pas aprovimit të rregullores për organizim dhe funksionim të Kabinetit të Qeverisjes së Mirë, nga Këshilli Drejtues, sot, Kryesia ka miratuar strukturën e KQM-së, duke përcaktuar përbërjen e Departamenteve të KQM-së dhe dikasteret që do të jenë pjesë e tyre.
Po ashtu, është emëruar Komisioni për organizim të PDK-së në mërgatë, i përbërë nga 11 anëtarë dhe i udhëhequr nga deputeti Elmi Reçica, që do të vazhdojë punën e bërë nga ish Departamenti për Diasporë.
Në kuadër të këtij angazhimi të shtuar për riorganizimin e PDK-së në mërgatë, Kryesia vendosi që PDK në Gjermani të organizohet në 6 degë të veçanta, si në vijim: 1. Bavaria – Thuingen, 2. Baden – Wurttemberg, 3. Rheinland Pfalz, Hesse dhe Saarland, 4. Nordrhein Westfalen, 5. Bremen Niedersachsen – Schleswig Holstein – Mecklenburg Vorpommern, 6. Berlin – Brandenburg – Sachesen Anhalt – Sachsen. Po ashtu, këto Degë në Gjermani do të kenë nëndegë në secilin qytet ku jetojnë bashkeatdhetarët në Gjermani.
Në vazhdën e reformave dhe të konsolidimit të PDK-së, në pajtim me vendimin e mbledhjes së fundit të Këshillit Drejtues, si dhe në bazë të nenit 31 të statutit, Kryesia e PDK-së ka vendosur që të caktoj udhëheqësin e përkohshme në Degën e PDK-së në Kamenicë, me kryetar Granit Berisha, e cila ka përgjegjësi të konsolidoj të gjitha strukturat e degës deri në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta në PDK.
Përveç vendimeve të marra, Kryesia e PDK-së ka diskutuar sot edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, ku PDK si lidere e opozitës po luan rolin e saj demokratik në mbikëqyrjen e punës së qeverisë dhe ofrimin e alternativave për të gjitha çështjet me rëndësi për vendin./21Media

Back to top button