Kryetarët e komunave i kërkojnë Kurtit të ndryshojë qasjen e komunikimit

(Lajm i përditësuar)


Kryeministri i Kosovqs, Albin Kurti, bashkë me ministra të kabinetit qeveritar, sot është takuar me Asociacionin e Komunave të Kosovës. Në këtë takim, këta të fundit i kanë kërkuar kryeministrit ndryshimin e qasjes së komunikimit.

Kryetari i këtij Asociacioni dhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu (PDK), tha se për disa zgjidhje që kryetarët kanë propozuar, janë ende duke pritur përgjigje.

“Ne kryetarët kemi bindjen që duhet të ndryshojë qasja e komunikimit. I tillë ishte edhe ligji për vetqeverisje për të cilën kryetarët e komunave u përjshatuan nga konsultimi. Edhe në pikëpamje të planifikimeve buxhetore tavanet e caktuara nga Ministria e Financave për vitin 2024 parashihet të ketë shkurtime të buxhetit në investime kapitale që karakterizon vitin 2024 me investime më pak kapitale”, ka thënë Aliu.


10:45 – Kurti: Granti i përgjithshëm për komunat për vitin 2024 kap shumën prej 284.7 milionë euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se granti i përgjithshëm për komunat për vitin 2024 kap shumën prej 284.7 milionë euro.

Kurti u shpreh se kjo shumë paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grat.

“Granti i përgjithshëm për komunat për vitin 2024 kap shumën prej 284.7 milionë euro e që paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grat. Kjo vlerë rekorde e grantit të përgjithshëm vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave në buxhetin e shtetit”, u shpreh ai gjatë takimit me kryetarët e komunave.


08:00 – Kurti sot takohet me kryetarët e komunave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot do të zhvillojë takim me kryetarët e komunave. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal përmes një komunikate.

Sipas njoftimit, takimi do të mbahet me fillim nga ora 10:00.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ju fton në takimin e radhës të përbashkët me Sh.T.Z. Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ministritë e linjës dhe Kryetarët e Komunave”, thuhet në njoftim.

Back to top button