Veseli: Nuk do të ketë asnjë mjek dhe specializant që do të mbetet pa punë

Kryetari i PDK-së edhe njëherë përsëriti se do të ketë ngritje pagash

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, tha të mërkurën në mbyllje të fushatës në Pejë, se më 11 qershor do të fitojë koalicioni i fitores, pasi misioni Fillimi i Ri siç tha ai, i duhet Kosovës.

Ai tha se Fillimi i Ri do qetësi, zhvillim ekonomik dhe ndërmarrësi të fuqishme, ndërsa premtoi mbrojtje për ndërmarrësit, të cilët e zhvillojnë Kosovën, si dhe mbështetje për bujqësinë.

Veseli përsëriti mbështetjen për mjekët duke thënë se nuk do të ketë asnjë mjek dhe specializant që do të mbetet pa punë. Ai po ashtu theksoi se fuqizimi i gruas dhe rinisë do të jetë prioritet, ndërsa edhe njëherë përsëriti se do të ketë ngritje pagash.

Kreu i PDK-së kërkoi nga pejanët që më 11 qershor ta votojnë PDK-në, e cila ka ndryshuar Kosovën dhe Pejën.

Ndërsa, kryetari i PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti, tha se më 11 qershor do të festojnë fitoren e koalicionit PDK-AAK-Nisma. Haliti shtoi se koalicioni PDK-AAK-Nisma është koalicion i dritës, edhe pse të tjerët po e quajnë “koalicion të territ”.

Back to top button