Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut emëron katër drejtorë

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka emëruar katër drejtorë në kabinetin e tij.

Atiq bëri të ditur se Anesa Çollakoviq është emëruar drejtoresh për Kulturë, Rini dhe Sport.

“Anesa ka përfunduar studimet master në zhvillimin ndërkombëtar në Ohio University në SHBA dhe ka përvojë me organizata ndërkombëtare dhe joqeveritare në fushën e kulturës rinisë dhe sportit”, bëri të ditur Atiq.

I pari i Mitrovicës së Veriut, si drejtor të Arsimit ka emëruar Vid Janiçijeviq, ku për të tha se “është studiues i historisë dhe arkeologjisë”.

Ndërsa, në pozitën e drejtoreshës për Urbanizëm, Kadastër dhe Gjeodezi, Atiq e ka emëruar Shenaj Llapashticën.

“Shenaji ka studiuar arkitekturë në Mimar Sinan Fine Arts University në Stamboll në Turqi. Shenaj Llapashtica ka përvojë pune shumëvjeçare në drejtorinë e kadastrit dhe urbanizmit”, ka shkruar Atiq.

Ndërsa, drejtor i Drejtorisë për Komunitete Lokale dhe Kthim është emëruar Jeton Rrahmani.

“Jetoni është studiues i drejtësisë, vjen nga radhët e komunitetit egjiptian. Aktivizmi i tij i gjatë me bazë në komunitet ka bërë që të njoh për së afërmi çështjet social-ekonomike të komuniteteve”- ka njoftuar Atiq./21Media

Back to top button