Kryetari i Sindikatës së PTK-së raportoni para Komisioni Hetimor Parlamentar

Balaj: Z-mobile e ka shkelur me rrotë PTK-në

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, sot në mbledhjen e radhës ka intervistuar kryetarin e Sindikatës së Pavarur së PTK-së, Lamih Balaj.

Përfaqësuesi i kësaj sindikate duke folur për dëmet e mëdha të shkaktuara në PTK, mbi 200 milionë euro nga Z-mobile, theksoi se ndër zyrtarët tjerë përveç ish kryeshefave, është edhe Fatos Shema.

Balaj ka thënë se nuk është e rastësishme, reklama e Z-mobile për ofertën “Ta shkeli me rrotë”, që sipas Balajt, edhe kështu ka ndodhur, pasi Z-mobile, e ka shkelur me rrotë PTK-në.

Përveç kësaj, Balaj ka shtuar se Z-mobile rrezikon edhe sigurinë kombëtare me telefoni mobile.

Zëvendëskryesuesi i Komisionit parlamentar, Milaim Zeka, ka pyetur pse nuk ka reaguar sindikata në atë kohë, por tash lidhur me kontratat e Z-mobile dhe a ka qenë kjo sindikatë e joshur nga ish kryeshefi ekzekutiv Shyqeri Haxha në PTK me ndonjë veturë ose diçka tjetër.

Zeka duke folur për punësimet, ka deklaruar se 12 punonjës në PTK janë me mbi emër Dervishaj dhe punonjës të tjerë nga Drenica me mbi emër të njëjtë.

Balaj është përgjigjur pyetjes së Zekës, duke thënë se reagimet kanë qenë me kohë, por nuk janë mbuluar nga mediat, edhe pse kanë qenë të ftuar për ngjarjet.

“Kemi qenë të zëshëm aq sa kemi mundur me depërtuar. Kemi kërkuar tri herë takime me ish kryetarët e GP të LDK dhe PDK, por çdoherë arsyetimi i tyre ka qenë: “Jemi në të pame”. Sa i përket joshjes, nëse kisha qenë i joshur, unë sot nuk isha në këtë komision hetimor për intervistë. Ne kemi buxhet si sindikatë me ble veturë”, tha Balaj.

Ai ka shtuar se Haxha kishte formuar edhe sindikatë në PTK për ndikim.

“Ka pasur djemë që me dhunë ose presion nga Shyqeri Haxha që të bëhen pjesë e asaj sindikate. Pjesë të sindikatës kanë qenë edhe fëmije të prokurorëve”, ka thënë Balaj.

Po ashtu, ai përmendi edhe një shkelje të rëndë në kontratën për blerjen e kabllove optike, që ka kushtuar 47 euro e 77 cent, vetëm për një metër, që sipas tij, ajo kompani “Astraplan” mund të jetë e krijuar nga dikush prej PTK.

Deputeti Armend Zemaj, ka thënë se tashmë dihet se disa prej antenave të PTK janë të vendosura në prona të familjarëve të ish kryeministrit Agim Çeku dhe të presidentit Hashim Thaçi, por kërkoi nga Balaj të di se ku janë të vendosura edhe të tjera antena.

Sipas Balaj ka thënë se ka ndodhë që dhjetë antena janë vendosur edhe pa pasur nevojë.

“Ka ndodhë që në rajonin Deçanit, p.sh, në Lugun e Baranit ku ka qenë e nevojshme, është hequr antena dhe është vendosur në një oborr të një zyrtari me ndikim. Ka edhe zyrtarë të Telekomit që kanë antena të PTK në prona të tyre”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuarse duke i shkëputur kontratat e dëmshme, mund të shpëtohet Telekomi.
Ndërsa, pas këtij intervistimi nga sindikata, pas pak pritet që të intervistohen edhe Arsim Gjinovci, Muhamet Xhemajli e Shkelzen Blajkaj, që të tre ish-pjesëtarë të Departamentit Kundër Mashtrimeve në PTK.

Back to top button