Kryetarja e Preshevës fton Qeverinë të lehtësojë masat për hyrjen në Kosovë

Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka thënë se masat e reja të miratuara nga Qeveria e Kosovës, mbi hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës ka vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Komunës së Preshevës.
Sinani ka shkruar në Facebook se vendimi i Qeverisë e Republikës së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVId-19 i cili ka hyrë në fuqi me 22 janar, ka vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Komunës së Preshevës.
“Duke qenë se një pjesë jo e pakët e tyre nuk mund ta marrin dozën e tretë sepse nuk kanë kaluar mjaftueshëm muaj nga doza e dytë dhe shumë prej bashkëvendësve tanë nuk kanë mundësitë financiare për ta kryer testin RT-PCR, çdoherë që e kalojnë kufirin, kjo masë po e kufizon lirinë e lëvizjes midis Komunës sonë dhe Republikës së Kosovës, ku edhe punojnë, studiojnë, shërohen, apo edhe vizitojnë reciprokisht familjarët e tyre, etj. Duke qenë e vetëdijshme për gjendjen e rënduar me Pandeminë COVID-19, ftoj Qeverinë e Republikës së Kosovës, që ta rishqyrtojë vendimin përkatës, apo edhe ta plotësojë, drejt lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve të rajonit tonë”, ka shkruar ajo në Facebook./21Media

Back to top button