​Kryeziu: Kurti nuk tha diçka të re lidhur me Asociacionin

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti nuk ka thënë ndonjë gjë të re lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pak kohë pasi Kurti në një intervistë televizive e pranoi se në Planin evropian ka Asociacion.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kryeziu ka thënë se Kurti ka dhënë përgjigje për tërësinë e Planit Evropian, përkatësisht për nenin 10 që flet për të gjitha marrëveshjet e deritashme.

“Kryeministri Kurti nuk tha diçka të re lidhur me Asociacionin. Ai dha përgjigje për tërësinë e Propozimit Evropian, përkatësisht për nenin 10 të tij i cili flet për të gjitha marrëveshjet e deritanishme, plot 39 sosh, shumicën e të cilave nuk i respekton e zbaton Serbia e për vetëm njërën ka vendim të Gjykatës Kushtetuese. Asociacion ndodhet te dy ish marrëveshje për shkak të nënshkrimeve të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit që janë aty”, ka shkruar Kryeziu.

Back to top button