Osmani uron për Ramazan: Zoti ju bekoftë në këtë muaj të shenjtë dhe ju pranoftë lutjet!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar besimtarët myslimanë për muajin e shenjtë të Ramazanit.

Osmani ka thënë se gjatë këtij muaji, secili nga besimtarët, përveç sakrificës personale dhe paqes shpirtërore, manifeston shpirtin solidar e tolerant në raport me tjetrin, në raport me njerëzit në nevojë.

“Sonte fillon muaji i shenjtë i Ramazanit, muaj i sakrificës, përkushtimit, solidaritetit dhe mirësisë. Gjatë këtij muaji, secili nga besimtarët, përveç sakrificës personale dhe paqes shpirtërore, manifeston shpirtin solidar e tolerant në raport me tjetrin, në raport me njerëzit në nevojë. Populli ynë gjithmonë e ka kultivuar solidaritetin, ndaj në këtë muaj uroj që secila zemër e secila sofër të jetë plot, në mënyrë që respekti i ndërsjellë dhe dashuria të jenë udhërrëfyes përherë. Zoti ju bekoftë në këtë muaj të shenjtë dhe ju pranoftë lutjet, agjërimin dhe veprat e mira!”, ka shkruar Osmani.

Muaji i Ramazanit nis më 23 mars dhe do të zgjasë për 29 ditë, deri më 20 prill. Gjatë kësaj periudhe, besimtarët myslimanë përmbahen ngrënia dhe pirja që nga lindja e Diellit deri në perëndim, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit. Pas përfundimit të Ramazanit, besimtarët në mbarë botën festojnë Fitër Bajramin, një prej dy festave më të mëdha të besimit Islam./21Media

Back to top button