Kryeziu në Hagë: Do të doja të isha i burgosur në vend të Hysniut e Nasimit

Para Dhomave të Specializuara në Hagë sot ka dëshmuar anëtari i kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Metush Kryeziu i cili ka thënë se vendimi lidhur me dokumentet që ishin sjellë aty ishte marrë në mënyrë unanime nga kryesia dhe se Hysni Gucati e Nasim Haradinaj vetëm e kanë zbatuar atë.
Para trupit gjykues, Kryeziu ka thënë se OVL-UÇK ka qenë gjithmonë kundër Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Vendimi që të bëheshin publik dokumentet e sjella ishte vendim kolektiv të cilin e mori kryesia, të 23 anëtarët me shumicë votash, me sa më kujtohet vendimi nëse duhej të publikoheshin dokumente të tilla ishte unanim. Hysniu, Nasimi dhe Fatoni vetëm sa e kanë zbatuar vendimin e kryesisë. OVL ka qenë gjithmonë kundër Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe mendonim që këto dokumente që ishin sjellë ishin të lidhura me serbët, DHSK konsideron secilin veteran shqiptar si terrorist”, ka thënë Kryeziu në deklaratën e tij me shkrim.
Kryeziu ka shprehur mbështetjen e tij për ish-krerët e OVL-UÇK-së.
“Do të doja që unë të isha i burgosur në Hagë në vend të Hysniut dhe Nasimit, Hysniu është i plagosur në këmbë dhe vuan nga diabeti kronik, sa përket Nasimit nuk njoh ndonjë familje tjetër në Kosovë që ka vuajtur më shumë se familja e Nasimit”, ka thënë Kryeziu.
Për dallim nga dy dëshmitarë paraprakë, për Kryeziun nuk ka pasur pyetje nga palët, veçse mbrojtja e ka lexuar deklaratën e tij me shkrim, të cilën e ka pranuar turpi gjykues si provë materiale, përjashtuar paragrafit 19 dhe 20, të cilët i ka kundërshtuar prokuroria.
Sipas deklaratës së Kryeziut, më 17 shtator 2020 ai ka qenë në zyrat qendrore të OVL-UÇK në Prishtinë kur aty kishin arritur hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ai ka thënë se prezenca e tij lidhej me punët e tij të zakonshme në organizatë.
Kryeziu ka thënë se nuk ka folur me asnjëri nga ZPS duke shtuar që të njëjtit kanë biseduar me Gucatin e Haradinajn.
Ai ka thënë se dokumentet atë ditë i janë dorëzuar ZPS-së dhe hetuesit kanë dalë nga objekti pasi që kanë marrë paketat.
Me deklaratën e Kryeziut, trupi gjykues ka përfunduar dëgjimin e dëshmitarëve të mbrojtjes për sot. Procesi gjyqësor vazhdon nesër në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Back to top button