Kryeziu: S’po shohim reflektim nga partitë opozitare, po duan bllokadë sepse s’është çështja te emri i Albulena Haxhiut

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu, ka akuzuar partitë tjera për bllokimin e Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka përsëritur qëndrimet e partisë së saj se partitë s’po e njohin “të drejtën ekskluzive” të Vetëvendosjes për të propozuar një kandidat të tyre për kryerparlamentar.
“Atëher edhe sot e pamë veprimin e radhës, absurditetin e radhës të partive në Kuvend të cilat nuk morrën fare pjesë në votim në formimin e komisionit i cili e mundëson votimin e fshehtë, njejtë siç vepruan para disa javësh kur nuk votonin raportin verifikues të komisionit për verifikimin e mandadeteve që bllokoi për disa seanca procesin e ecjes tutje, njejtë bënë edhe sot pra njejt siç kanë bërë edhe për shumë seanca radhazi duke e vazhduar bllokimin e seancave të Kuvendit”, tha ajo.
Kryeziu deklaron se VV është e gatshme që ti përgjigjet kërkesës për të votuar pro formimit të komisionit, ku shton se kjo e mundëson votimin e fshehtë.
“Ndërkohë që e kemi parë që vazhdimisht i kanë arsyetimet e njëjta por ne siç kemi qenë në fillim, jemi dhe sot të gatshëm që ti përgjigjemi kërkesës për të votuar pro këtij formimi të këtij komisioni sepse mendojmë që është shumë e rëndësishme të dalim nga kjo bllokadë dhe të ecim tutje me konstitumin e Kuvendit fillimisht dhe pastaj në kalimin e procedurave të tjera. Fatkeqësisht, deri më tani nuk kemi parë ndonjë reflektim nga partitë opozitare. Përkundrazi, ato vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim bllokues, duke refuzuar pjesëmarrjen në votim, edhe pse janë të vetëdijshme që ky proces nuk mund të ecë përpara pa pjesëmarrjen e tyre. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë qenë të qarta: deputetët duhet të marrin pjesë në këtë proces dhe të japin kontributin e tyre në konstituimin e Kuvendit. Prandaj, është shqetësuese që pikërisht deputetët e këtyre partive po zgjedhin të mos marrin pjesë në votim, duke kontribuar më tej në vazhdimin e kësaj bllokade. Nuk e kuptojmë pse ne duhet t’i nënshtrohemi një procesi të tejzgjatur politik, në të cilin duhet të presim që të tjerët të vendosin se kush është fituesi i zgjedhjeve dhe pastaj të na japin të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Kjo është një e drejtë ekskluzive e Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve dhe nuk mund të funksionojmë nën kushtëzimet që po na vendosin partitë opozitare”, tha ajo.
Ajo përsëriti se “në të ardhmen, në procese të ngjashme, edhe partitë e tjera do të propozojnë kandidatë për pozitat udhëheqëse dhe ne mund të kemi dilemat tona ndaj atyre emrave – por nuk do t’i bllokojmë, sepse do t’i respektojmë si kandidatë të subjekteve të tyre politike.
“Kjo nuk është çështje emrash – nuk është problemi tek zonja Haxhiu apo ndonjë tjetër që mund të propozojë Vetëvendosje. Kjo është një arsye e krijuar për të mos e çuar përpara konstituimin e Kuvendit”, tha Kryeziu.
Deputetja e VV-së tha se PDK po vazhdon të shtojë emra në listën që nuk do t’i votonin për kryerparlamentar.
“Realisht, nuk është problemi te zonja Haxhiu– problemi është se ata nuk po duan të ecin përpara me konstituimin e Kuvendit dhe me procedurat e tjera institucionale. Ata po vazhdojnë me të njëjtat justifikime për javë të tëra, në vend se ta votojnë propozimin dhe ta vendosin vendin në rrugën e funksionalitetit institucional”, tha ajo.
Kryeziu deklaroi se nuk do të ndryshojnë në propozimin e tyre.
“Gjithashtu, jemi ende në pritje të një opinioni nga Gjykata Kushtetuese për çështje shumë të rëndësishme, përfshirë edhe procesin e numërimit të votave të mërgatës. Mendojmë se është thelbësore të kemi qartësi kushtetuese për të gjitha këto procese, në mënyrë që vendi të ecë përpara me institucione funksionale dhe një Kuvend që punon për qytetarët”, tha ajo. /21Media