Kthehen mbrapsht dhjetëra qytetarë në kufi, mjeku: Vjedhje të kërkosh test për fëmijë

Edhe pse shtrëngimi i masave anti-Covid në kufi ishte njoftuar prej ditësh nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, hyrja e tyre në fuqi sot i ka gjetur të papërgatitur qytetarët.
Në pikën kufitare të Qafë Thanës sot pati dhjetëra familje që u kthyen pas.
Për të hyrë në territorin shqiptar atyre iu nevojitet certifikatë vaksinimi me të dy dozat, tampon nevativ PCR jo më të vjetër se 48 orë ose dëshmi që e kanë kaluar koronavirusin.
Masat janë të vlefshme edhe për fëmijët mbi 6 vjeç.
Bekim Rexhepi nga Tetova, me profesion mjek tha se kjo është anormale. Ai u shpreh se është krim t’i bësh fëmijës rapid test, kur në Maqedoni dhe çdo vend të rajonit nuk ka masa të tilla.
“Ne duam të kalojmë ca ditë pushimi në bregdetin shqiptar por papritur u bllokuam në hyrje të Qafë Thanës me pretekstin se edhe fëmijët 6-11 vjeç që i kemi ne duhet të kenë test PCR. Ky nuk është standard që aplikohet në ndonjë vend europian por ja që shteti amë i joni na bën një shantazh të tillë, na vjedh në mes të rrugës ditën për diell. Në Maqedoni nuk patëm asnjë problem, as që na rekomandoi dikush diçka në kufi.Do bëjmë një konsultë familjarë, me gjasë që do të kthehemi prapa. Nuk di kush është kjo kompani fantazmë, çfarë testi aplikon mbi fëmijët, ka mundësi që të kthehemi pas. Unë jam me profesion mjek. Jam shumë i zhgënjyer”, u shpreh Rexhepi.
Ndërkohë që, ky tampon në Maqedoni kushton 2 euro, në Qafë Thanë kompania private kërkon 25 euro.
Ai e konsideroi turp dhe vjedhje nga shteti shqiptar.
“Ky test në çdo vend europian është 80 cent, në vendin tonë shitet 2 euro në farmaci, ndërsa këtu i njëjti 25 euro”, shtoi tutje ai./oranews

Back to top button