Kthehet në punë kryetarja e suspenduar e Gjykatës në Mitrovicë

Vendimi për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanoviq, është revokuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK).
Këtë e ka bërë të ditur KGJK-ja, përmes një njoftimi për media.
“Është revokuar pasi që Këshilli e ka miratuar marrëveshjen e arritur në mes të Kryetares Stevanović dhe Panelit Hetimor, me të cilën është mbyllur çështja disiplinore. Lidhur me masën disiplinore që është arritur sipas marrëveshjes, KGJK nuk mund të deklarohet pasi që ende nuk kanë përfunduar afatet për njoftim”, thuhet në njoftim.
Stevanoviq është kthyer në pozitën e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, pas afro dy muaj suspendim.
Suspendimi i Stevanoviqit kishte ardhur pasi e njëjta ishte pjesëmarrëse në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë në Beograd me presidentin serb, Aleksander Vuçiq, ku kishin marrë pjesë edhe disa zyrtarë tjerë serbë që punojnë në institucionet e Kosovës./21Media

Back to top button