Kthehet në rigjykim aktakuza për rastin Telekomi
Apeli e aprovon ankesën e Prokurorisë Speciale
Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, në rastin e njohur si Telekomi ndaj të akuzuarve ish-kryeshefat Ejup Qerimi, Agron Mustafa dhe ish-kryesuesi i Bordit Rexhë Gjonbalaj për veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Apeli e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 7 janar 2019, në atë mënyrë që kërkesat e mbrojtësve për hedhje të aktakuzës janë refuzuar, ndërsa procedura tani në këtë çështje juridiko penale vazhdohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor.
Gjykata e Apelit konstaton se në bazë të shkresave të lëndës, në rastin konkret ka prova të mjaftueshme nga të cilat rezulton dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer veprën penale në fjalë, andaj gjykata e shkalles së parë obligohet të vazhdojë me procedim penal, të administrojë provat dhe të marrë një vendim të drejtë dhe të ligjshëm, bëhet e ditur në komunikatë për media.